Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e Flamur Nokës pas trazirave të së enjtes në Parlament. Nëse aprovohet, përjashtimi për Nokën do të bëhet sipas rregullores së re.
Kujtojmë se ditë më parë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi vetëm me votat e mazhorancës kërkesën e PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
Ndryshimet e rregullores konsistojnë në përjashtimin me 2 muaj të deputetëve nga punimet e Kuvendit, pasi prej muajsh tashmë, deputetët e opozitës kanë pamundësuar vijimin normal të seancave.
Ndryshimet në rregullore parashikojnë ashpërsimin e masave për deputetët të cilët bllokojnë punimet e Kuvendit.
Sipas rregullores së re, masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione /në seancë plenare “ deri në 60 ditë jepet në rastet :
a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit / brenda mjediseve të Kuvendit;
b) kur deputeti kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal;
c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.”
Kërkesa për marrjen e masës disiplinore, sipas pikave 6 dhe 7 të këtij neni, paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 48 orë nga dita e konstatimit të rasteve.
Gjatë periudhës së zbatimit të masës displinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryejë dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.
/f.s