Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, kërkoi pafajësi para Gjykatës së Posaçme, duke i konsideruar të pabaza akuzat e SPAK-ut ndaj tij.
Gjatë seancës së paraqitjes së konkluzioneve të mbrojtjes, Alla pretendoi se nuk kishte shkelur ligjin.
“Jam i pafajshëm. Jam zgjedhur me 67 % të votave nga populli i Bulqizës. I kam shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim. Kam hequr dorë nga biznesi për të marrë këtë detyrë, për t’i shërbyer popullit”, është shprehur Alla.
Në vazhdim ai kërkoi përgjegjshmëri nga gjykata, ndërsa akuzoi prokuroren se nuk e ka marrë në pyetje. Deklarim të pafajshëm pretenduan edhe të pandehurit e tjerë.
Sakaq, në konkluzionet e saj, SPAK kërkoi dënimin me 3 vjet e 4 muaj burg për Allën pasi mbi të rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera“.
Pasi u njoh me mbrojtjet gjykata shtyu për në datën 27 dhjetor shpalljen e vendimit përfundimtar për këtë çështje.
/f.s