Rrëzimi i ankimimit të deputetëve të Partisë Demokratike që kërkonin pezullimin e masave të sigurisë “Detyrim Paraqitje” dhe bllokim të daljes jashtë shtetit, për ish-deputetin e opozitës, Gent Strazimiri nuk ishte aspak surprizë. I ftuar në Ditarin e orës 17:30 me gazetaren Bruna Çifligu, Strazimiri tha se me këtë vendim Gjykata Kushtetuese “ka vrarë të drejtën për të kërkuar të drejtën”.
“Tashmë pritet çdo gjë nga ky sistem drejtësi që është thjesht një zgjatim i ekzekutivit dhe nuk ka asgjë të pavarur nga PS dhe Rama, GJK ka vrarë të drejtën për të kërkuar të drejtën, iu kanë thënë deputetëve që nuk kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Kushtetuese. Nga sot, askush nuk e ka më as të drejtën për të kërkuar të drejtën, një vendim politik. Që nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha ai.
Si pjesëmarrës i protestës të së hënës, Strazimiri tha se është i kënaqur nga ajo që u arrit, duke thënë se kjo do të jetë një mënyrë për të rrëzuar atë që ai e quan “regjim”.
“Do ndjekim instiktin e lirisë, do ndjekim eksperiencat ndërkombëtare se si rrëzohen regjimet, shqiptarët të ndjekin instinktet e tyre të lirisë, nuk e kemi luksin që të biem në një regjim, do të mbrojmë lirinë me të gjitha mjetet që mbrohet liria”, tha ai.
Për rrjedhojë, është i bindur se në protestën e së nesërme do të ketë një pjesëmarrje të kënaqshme. Ai tha se nuk pretendon që nesër të rrëzohet regjimi, por thekson se është fillimi i intensifikimit të aksionit opozitar.
“Ishte një pjesëmarrje e kënaqshme dhe zgjati aq sa duhej. Nesër besoj që pjesëmarrja do jetë e kënaqshme, nesër do jetë fillim i intensifikimit të aksionit opozitar”, u shpreh Strazimiri.
Ai ka pasur edhe një koment për qëndrimin ose mos qëndrimin e ndërkombëtareve.
“Nuk më intereson nëse flasin pro ose kundër, por nuk po shkelet liria e tyre, nuk mund ta lëmë në dorën e tyre”, përfundoi Strazimiri në A2 CNN./m.j