Nga Jakin Marena
Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë e miratoi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës, nën akuzën e korrupsionit pasiv.
Vota e sekretarit të Përgjithshëm të PD zyrtare, Enkelejd Alibeaj, plotësoi numrin e duhur, plot 6 të tilla, duke treguar qartë se partia e udhëhequr nga Lulzim Basha është në të njejtën ‘korsi’ me qëndrimin e ndërkombëtarëve, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend dhe ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Nuk është çështje inati sikurse janë munduar një ditë më parë t’ia veshin Alibeajt këtë qëndrim që mbajti duke votuar pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, por çështje koherence, pasi kanë votuar më parë dhe për arrestimin e ish ministrit Tahiri apo për heqjen e imunitetit të deputetit për ish zv.kryeministrin Ahmetaj. E mbi të gjitha deklarohen pro reformës në drejtësi, duke e mbështetur atë.
Kanë votuar dhe Berisha bashkë me deputetët e tij të Foltores për dhënien e lejes për SPAK që të arrestohen ish ministra dhe ish deputetë socialistë, por për hir të së vërtetë kur vjen puna te arresti për vetë Berishën, ai e pret shumë keq. Dhe fshihet pas teknicialiteteve, procedurave apo kërcënimeve për dhunë dhe destabilizim të vendit.
Por kjo u mbyll e tashmë ky Këshill ka caktuar relatoren për përgatitjen e raportit përfundimtar që do të dërgohet të mërkurën në Kuvend, për t’u futur në rendin e ditës së seancës parlamentare të ditës së enjte. Për ta miratuar pa diskutim kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës.
Këto 48 orë janë orë pritje të ankthshme për liderin e Foltores, i cili përdori të gjitha mënyrat, cic-micet që i kanë dhënë rezultat deri më tani, për të qëndruar jashtë ‘rrezes’ së burgut apo arrestit shtëpiak, pa arritur që të ndryshojë rrjedhën logjike të hetimit për korrupsion pasiv.
Berisha përdori dhe protestën ditën që do merrej vendimi nga Këshilli i Mandateve para kryesisë së Kuvendit, dhe ka paralajmëruar se do të protestojë sërish të enjten para Kuvendit, kur seanca parlamentare vendosë zyrtarisht për lejen e arrestimit të tij, e SPAK nis procedurat për gjykatën.
Të gjithë e panë se Berisha nuk ka mbështetje. Anipse kishte shkuar në Shkodër për të kërkuar “rekrutë’ protestash për hallin e tij personal. Po ku ka shkodranë të pazgjuar. Kanë hallet e tyre dhe nuk lëvizën nga Shkodra. Shkoi dhe në Lushnje dhe Fier për të mbledhur njerëz, por sërish nuk lëvizi askush. Kanë halle njerëzit. Pavarësisht se Berisha në kulmin e dëshpërimit, kur pa se askush nuk po ia ‘vërshëllente’, filloi të fliste pa lidhje, për t’i vënë në ‘sedër’. Në Lushnje kjo.
“Do iu nxjerr lepurin nga barku dhe do zgjojmë luanin që fle tek ju”, bëri thirrje Berisha, i cili në të gjitha daljet publike fliste për uragan që do të fshijë regjimin e Edi Ramës, revolucione dhe gjëra të tjera të këtij lloji, që për vite me radhë me sa duket janë bërë të huaja për demokratët. E panë se asgjë nuk fitojnë, dhe kur i vunë flakën institucioneve, dhe kur u futën në ‘çadër’, dhe kur dogjën mandatet e deputetit dhe kur bojkotuan zgjedhjet për pushtetin vendor.
Ndaj Berisha dje kishte me plus minus 100 vetë në protestën e thirrur prej tij kundër SPAK, ditën që miratohej kërkesa e këtij institucioni të hetimit për të arrestuar Berishën. Më shumë kishte familjarë të Berishës, duke filluar me vajzën Argita Malltezi, e cila proteston jo vetëm për burrin e saj Jamarbër Malltezi që është nën arrest shtëpiak nën akuzën për pastrim parash, por dhe për mbrojtjen e babait Sali Berisha dhe vëllait Shkelzen. Që kanë punë rëndshëm me drejtësinë.
Me gjithë këto elementë kundër, që nga partnerët ndërkombëtarë e deri te drejtësia e re që ka një mal me akuza ndaj tij apo mungesën e mbështetjes nga ana e demokratëve, Berisha sillet sikur nuk jeton në këtë realitet në të cilin ndodhemi. Ka krijuar një realitet paralel komplet të tijin, i ngritur nga imagjinata e theksuar që bie në rezonancë dhe me takatin politik e biologjik, është i konsumuar tërësisht për 33 vite në politikë. Ndërkohë që është tek 80-tat, në pleqëri të thellë.
Më e keqja është se këtë realitet të sajuar në të cilin jeton Berisha, i shkëputur tërësisht nga bota reale, e kanë përqafuar disa nga ithtarët e tij që e ndjekin, këshilltarët e këqinj e më e keqja dhe avokatët që kanë për detyrë të gjejnë të gjitha hapësirat ligjore për ta mbrojtur Berishën nga arresti me burg apo arresti shtëpiak. Por përsërisin të njejtat deklarata që bën Berisha, i mbrojturi prej tyre, dhe që këtu merr fund mbrojtja ligjore.
Duke qënë se Berisha tashmë e ka të sigurtë masën e arrestit, shtëpiak si i moshuar por dhe me burg nuk përjashtohet mundësia, pasi kështu e parashikon ligji për akuzën e korrupsionit pasiv që ndëshkohet deri në 12 vite burg, për të përballuar dhe këto orë që kanë mbetur nga vendimi në senacën parlamentare të së enjtes e vendimi i Gjykatës së Posaçme për të dhënë masën e arrestit sipas kërkesës së SPAK, ka zgjedhur të krijojë një realitet paralel, krejt të të tijin, duke ‘notuar’ nëpër të, pa asnjë lidhje botën reale.
Meqënëse del tre herë në ditë në media, në mëngjes Berisha na shfaqet para parlamentit si ‘atlet’ i revolucionit që do të përmbysë regjimin e Edi Ramës, si trim që akuzon prokurorët e gjyqtarët e posaçëm si bandë kriminale, duke i etiketuar dhe si ‘bastardë’ dhe kërcënuar se do të merret me ta kur të vijë në pushtet, megjithëse ka shanse zero për të ardhur por dhe duke treguar se si e mendon drejtësinë nën qeverisjen e tij. Por shfaqet dhe si cub, ku kërcënon herë Ramën, herë gjyqtarët e prokurorët, se nuk do të njohë asnjë vendim gjykate që jep masë arresti për të, në qeli apo shtëpi. Kërcënim të cilin e bëri edhe sot, ditën për diell.
Ndërkohë që pas mesdite Berisha merr pamjen e një martiri, një “Nelson Mandelë” shqiptar, që nga burgu ku mendon se do të jetë gjatë, do drejtojë lëvizjen e tij kundër qeverisë së Edi Ramës, për ta rrëzuar atë. Përmend çdo mesdite se do jetë një “Mandela” shqiptar dhe shumëkush thotë se e beson dhe vetë Berisha këtë mersele. Por në të vërtetë është një realitet i deformuar sipas mendjes së tij, dhe për habi të të gjithëve dhe ata që e ndjekin, e besojnë.
Nuk themi se e beson Gazmend Bardhi dhe të tijtë, që nuk morën pjesë në protestën kundër SPAK përballë kryesisë së Kuvendit ditën që Këshilli i Mandateve votoi për arrestin e Berishës. Bardhi dhe ndjekësit e tij kanë shkuar për tjetër gjë aty që në krye të herës, pa asnjë lidhje me qëllimet dhe dëshirat e Berishës, por që në shumicën e herëve i kanë shërbyer dashje pa dashje këtij qëllimi: Shkatërrimit të opozitës për hallin personal të Berishës.
Ndërsa në mbrëmje Berisha, për shkak dhe të moshës, bëhet dhe më nostalgjik për kohën në të cilën qeveriste, kujton ndonjëherë se si futi në burg ish kryetarin e opozitës dhe ish kryeministrin Fatos Nano, nën akuzën se kishte favorizuar të tretët për të përvetësuar ndihmat italiane. Dhe kur të ‘tretët’ e favorizuar dolën të pafajshëm në Itali, sërish Nano u dënua për këtë akuzë, ndonëse ishte tërësisht pa sens, sepse ‘përfituesit’ iu rikthyen karrierës politike. Ndërsa Nano që kishte ‘ndihmuar’ këtë vjedhje të paqenë, ishte në burg.
Në mbrëmje Berisha fillon dhe tregon ligjet e miratuara nga ai, numëron të mirat që u kishte bërë shqiptarëve me këto ligje, anipse kishte favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili përfitoi një shumë prej 5.4 milionë eurosh. Më e pakta! Fundja shqiptar është dhe ai, të paktën me letra.
Dhe natën Berisha tërësisht jashtë realitetit sheh ëndrra me burg. Herë të trishtuara dhe herë motivuese sipas tij, duke e vendosur veten në pozicionin e një të burgosuri që nga qelia do të rrëzojë regjimin e Ramës. Megjithëse edhe jashtë izolimit, me tërë ato ‘asete’ në dorë, që nga paratë e deri disa deputetë që e ndjekin, s’ka mundur të kalojnë 100 vetët në një protestë, Berisha e krijon realitetin e tij të përmbysjes së madhe që fillon nga burgu. Nëse jepet arrest me burg. Ku as dhe një kavanoz komposto nuk ia dërgon njeri, përpos familjes së tij. S’ka mbështetje, është vetëm në hallin e tij.
Ndaj ka nisur të krijojë një jetë paralele e përtej reales në mendjen e tij, në tjetër realitet që e di vetëm ai, duke ëndërruar revolucione përmbysëse, duke ëndërruar të jetë “Mandela’ shqiptar për t’u shfaqur si martir, që pret gjatë në burg për të rrëzuar regjimin. Megjithëse koha biologjike nuk ia lejon të ‘imitojë’ Mandelën, i cili hyri në burg i ri dhe doli plak. Nuk mund ta akuzojmë se ëndërron të jetë një Gandi shqiptar, pasi nuk e njeh këtë ‘zanat’ Berisha, dhe në ëndrrën më të bukur Gandizmi nuk i shfaqet.
Në fakt Berisha ka gjetur një mënyrë për të mos humbur mendjen, megjithëse pleqëria po punon fort në këtë drejtim. Por dhe hallet e tij, se vjen një ditë dhe të mblidhen të gjitha bashkë dhe s’ke nga ia fillon. Sidomos në këtë moshë. Fatkeqësi është se në ‘mjegullnajën’ e realitetit të tij paralel kanë hyrë dhe ithtarët që e ndjekin, duke na treguar se është një ‘amnezi’ kolektive. Të presim sa do të zgjasë, dhe arresti i tij do jetë dhe një shpëtim për demokratët, nga pengmarrja.
Po si nuk folet per hajdutet ne qeveri apo Ata ju japin nga luge corbe lereni drejtesine te beje punen e vet mos flisni si turtullfutini i gjum
Sa je paguar per kete paqavure more …
E ke qare Jakin…
Me ne fund ligji njesoj dhe per Sali Berishen….