Nga Fitim Zekthi
Lëvizja e drejtuar nga Berisha ka disa kohë që po flet për mosbindje civile, po thotë se mosbindja civile ka nisur, ka marrë jetë, po ndodh. Ajo po thotë gjithashtu se mosbindja civile do ta rrëzojë dhe e ka tmerruar qeverinë dhe kryeministrin Rama. Berisha, Foltorja quajnë mosbindje civile rrëmujën në parlament, hyrjen nga dritaret, kapërcimin e kangjellave, ndezjen e fishekzjarrëve, kërcimin mbi kokat e rojeve, bërjen grumbull të karrigeve të deputetëve, thyerjen e ndonjë tavoline dhe sharjet, britmat.
Mosbindja civile është një akt i madh, sublim, me fuqi të pamatshme që vërtet mund të rrëzojë qeveri dhe tirani. Bota ka njohur disa lëvizje të fuqishme paqësore (mund të quhen revolucione paqësore ose akte madhore të mosbindjes civile) që kanë kundërshtuar qeveri, institucione apo sisteme politike të këqija, shtypëse deri edhe perverse. Ato kanë ndjekur të gjitha një parim: rezistencën paqësore.
Më e famshmja është ajo e Mahatma Gandit për Pavarësinë e Indisë. Filozofia e tij ka frymëzuar edhe lëvizjet e tjera si ajo Martin Luter King-ut në SHBA apo Nelson Mandelës në Afrikën e Jugut. Çfarë ishte në thelb filozofia e tyre dhe është Foltorja bartëse ndopak e një filozofie të tillë? Lëvizja gandiste kishte për filozofi udhëheqëse Satyagraha-n. Satyagraha është një fjalë me origjinë sanskrite, që përbëhet nga satya dhe graha. Satya do të thotë e vërtetë dhe graha do të thotë qëndroj fort, këmbëngul fort me edukatë. Satya rrjedh nga fjala sat që do të thotë qenie. Kuptimi i saktë është se asgjë nuk ekziston veç të vërtetës. Në plotninë e vet, satyagraha e kupton të vërtetën si diçka që përfshin 1) të vërtetën në të folur si diçka që i kundërvihet falsitetit 2) atë që është reale si diçka që i kundërvihet asaj që nuk ekziston dhe 3) të mirën si diçka që i kundërvihet të keqes. Për filozofinë e revolucionit paqësor, bota qëndron mbi shkëmbin e së vërtetës apo të satya-s, ndërsa asatya, pra, e pavërteta, është diçka që nuk ekziston. Në qoftë se e pavërteta nuk ekziston, atëherë fitorja e saj nuk mund të ndodhë dhe e vërteta nuk mund të shkatërrohet. Kjo është doktrina e lëvizjes paqësore.
Nisur nga kjo filozofi, Gandi nisi lëvizjen paqësorë për pavarësi të Indisë. Fillimisht, ai u nis në një marshim prej rreth 380 kilometrash me 78 ndjekës drejt detit. Kjo bëhej për të kundërshtuar taksën e anglezëve mbi kripën. Rrugës iu bashkuan shumë njerëz. Kur arritën në det, ata bënë kripë duke avulluar ujin. Marshimi u bë aq i fuqishëm sa anglezët ndërhynë dhunshëm. U burgosën 60 mijë indianë pa asnjë rezistencë. U burgos edhe Gandi. U lirua pas një viti. Lëvizja vazhdoi gjatë derisa India u bë e pavarur. Lëvizja duke besuar me forcë tek satyagraha, tek e vërteta, që është forma e vetme e ekzistencës dhe forma që nuk shkatërrohet, nuk bëri asnjë akt, sado të vogël dhune. Ndjekësit e Gandit u rrahën, u sulmuan me armë, u vranë, por kurrë nuk rrokën hunj apo leva, kurrë nuk sulmuan një godinë. Numri i mbështetësve të lëvizjes u bë miliona e miliona shumë shpejt sepse të gjithë e dinin që filozofia e satyagraha-s udhëhiqte lëvizjen. Lëvizjen nuk e udhëhiqte dëshira e Gandit për pushtet, as interesi i ndonjë drejtuesi, as epshi për famë apo për pasuri. Të gjithë e brendësuan satyagraha-n, sepse atë e kish brendësuar dhe po e jetonte i pari Gandi. Lëvizje si kjo, lëvizje që e lidhin të vërtetën vetëm me të folurën e vërtetë, vetëm duke besuar tek ajo që është reale dhe jo tek ajo që është imagjinatë, lëvizje që bëjnë bashkë të mirën me të vërtetën kundër së keqes, siç e bën satyagraha, nuk humbin kurrë. Nuk ekzistojnë pushtete as anglezësh dhe as çdolloj kolonizatori apo shtypësi që t’u rezistojë. Kur lëvizja humb, do të thotë se ajo nuk ka asnjë lidhje me bartjen dhe brendësimin e së vërtetës siç bënë gandistët me satyagraha-n. Këtu e kuptojmë qartë dallimin e madh të Foltores me revolucionin paqësor. Foltorja del një rrenë e dhunshme dhe kaq.
Një tjetër lëvizje e jashtëzakonshme është ajo Martin Luter King-ut në SHBA. Pa u zgjatur, po themi se kulmi i kësaj lëvizjeje është ajo që ndodhi në Selma dhe Birmingam dy qytete në Alabama të SHBA-së. Qyteti i Selma-s në vitet 1960 kishte gati gjysmën e popullsisë me ngjyrë. Shteti i Alabama-s kishte bërë ligje zgjedhore të tilla që kërkonin që të paguhej një taksë për t’u regjistruar dhe duhet të kalohej një test për të lexuar. Si pasojë e këtyre kufizimeve, vetëm 1% e zgjedhësve të regjistruar ishin me ngjyrë. Pra, diskriminimi me anë të ligjit ishte i tmerrshëm pa llogaritur segregacionin. Martin Luther King, James Bevel dhe udhëheqës të tjerë vendosën të nisin një lëvizje paqësore. Ngjarjet u bënë më të rënda nga vrasja e aktivistit Jamie Lee Jackson nga policë të bardhë. U vendos që do të bëhej një marshim nga Selma në Montgomery që ishte kryeqyteti i shtetit. Montgomery ishte rreth 85 km larg. Guvernatori dhe Policia thanë se nuk do ta lejonin marshimin. Dhjetëra dhe qindra burra dhe gra, pleq dhe fëmijë me ngjyrë nisën marshimin historik. Sapo u kalua ura që shënonte kufirin e Selmas, Policia ndërhyri dhunshëm. Rrahu brutalisht, hodhi gaz, theu kocka dhe gjakosi dhjetëra marshues. Asnjë reagim nga marshuesit. Një i ri me ngjyrë i llahtarisur nga dhuna kish gjetur një revolver në mbrëmje dhe tha se do të vriste të paktën një polic të bardhë. Martin Luther King e kapi dhe i tha se “ne këtë luftë nuk do ta fitojmë me armë, por me zemër, me paqe, me qëndresë”. Martin Luther King iu bëri thirrje të bardhëve, kristianëve, myslimanëve, hebrenjve dhe çdo amerikani të vinte në Selma, sepse nesër do të niste përsëri marshimi drejt Montgomery-t. Erdhën mijëra njerëz. Filloi përsëri marshimi.
Tek ura në kufi, Policia që kishte bllokuar rrugën u hap, u largua. Martin Luther King u ul në gjunjë. Pas tij u ulën të gjithë. Pas pak çastesh, ai u ngrit dhe u kthye mbrapsht në heshtje. Turma e ndoqi, e mërzitur, e dëshpëruar për tërheqjen në një kohë që policia u largua. Dikush tha se kur u ul atij Zoti i tha diçka që të tërhiqej. Dikush tha se ai kishte frikë se mos policia bëri kurth. Në mbrëmje, kur njerëzit, marshuesit ishin shumë të mërzitur me tërheqjen, ai tha: “Më mirë të zemërohen me mua, më mirë të më shajnë mua sesa të rrihen dhe vriten nga Policia”. Dy ditë më vonë rinisi marshimi i madh. Presidenti i SHBA, Lindon Johnson, dërgoi gardën kombëtare të ruante marshimin. Ushtarë dhe helikopterë nuk e lejuan Policinë e Alabama-s të bëjë asgjë. Pas disa ditësh udhëtimi në këmbë një karvan i jashtëzakonshëm, madhështor, një karvan paqeje, një karvan me njerëz që ecnin në këmbë dhe flinin jashtë, të lodhur dhe uritur arriti në Montgomery para zyrës së guvernatorit. Fjalimi i Martin Luther King u dha live në gjithë SHBA. Ai foli për njerëz që jetojnë bashkë në paqe dhe për një Zot që i sheh të gjithë dhe i do të gjithë në paqe. Lëvizja fitoi popullin amerikan. Asaj iu desh të kalojë edhe shumë vështirësi të tjera por fitoi. U deshëm edhe shumë vuajtje por fitorja ishte madhështore.
Foltorja është gjëja më e kundërt me një revolucion paqësor në çdo aspekt. Foltorja nuk bën dot asnjë lloj mosbindjeje. Atë jo vetëm nuk e ndjekin dhe besojnë njerëzit duke sakrifikuar siç bënë ata me gandin apo Luter Kingun por njerëzit as duan të dëgjojnë. Foltorja dhe deputetët janë njerëzit më të izoluar. Foltorja është një rrenë e dhunshme kundër PD-së dhe vendimit të qeverisë amerikane që kulmoi me atë që ndodhi në 8 janar të vitit 2022 dhe po rikulmon në një formë shumë më të dobët dhe më qesharake tani me “mosbindjen civile”. Kjo është mosbindje për të vdekur në mënyrë të natyrshme politike. Vdekjes nuk I shpëton dot askush gjithsesi. Kjo është një luftë e kotë, e dhimbshme dhe e pafitueshme.