Sot Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend do të vendosë në lidhje me kërkesën e SPAK për kalimin e Sali Berishës në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ai nuk pranoi të paraqitej në SPAK. Ndërkohë që mbledhja po zhvillohet, mbështetësit e Berishës janë mbledhur jashtë nën moton “jetën e japim, por votën jo”, ashtu siç tha edhe Berisha pak më herët nga selia e PD.
Më poshtë, zhvillimet minutë pas minute:
13:30-Avokati i Berishës pyet Krajën se mbi çfarë baze ligjore i kanë ndalur ish-kryeministrit daljen jashtë vendit, apo janë bazuar në ndonjë indicie se ka pasur tentativa për tu fshehur apo larguar. Kraja ka thënë se një vendim i tillë është marrë në bazë të hetimeve dhe se nuk kanë pasur indicie të tilla, pasi Berisha është çdo ditë në ekran.
13:20-Pas më shumë se një ore, opozita mbylli protestën para Kryesisë së Kuvendit. Berisha mbajti fjalën përmbyllëse, teksa u bëri thirrje të rinjve t’i dalin për zot Shqipërisë si luftëtarë të lirë.
13:10– Deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj pyet prokurorin Kraja se kush është masa e sigurisë që kanë kërkuar për Berishën. Kraja thotë se ata kanë kërkuar heqjen e imunitetit edhe masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për “arrest shtëpir”, vendim ky që nëse Kuvendi do japë “dritën jeshile”, do jetë në duart e gjykatës për të vendosur njërën nga masat.
12:45-Prokurori i çështjes, Arben Kraja tha se është arritur në kërkesën e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Berishën pasi ky i fundit nuk pranoi që të oaraqitej para Oficerit të Policisë gjyqësore.
“Me datën 2 tetor 2023 është vendosur regjistrimi i emrit Sali Berisha si i dyshuar se ka kryer veprën penale korrupsion kryer në bashkëpunim. Nga hetimet vlerësohet se është krijuar dyshimi se Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër, ka kryer veprime konkrete aktive me qëllim përshtatjen e ligjeve, ku përfitues ishte edhe bashkëshorti i vajzës së tij Jamarbër Malltezi.
Nuk e pengon prokurorinë që të marrë një masë ‘detyrim paraqitje’ ndaj tij. Lidhur me këtë mori masën detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit. GJKKO ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke caktuar masat e sigurimit personal. Berisha nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës. Personi në hetim nuk është paraqitur. Ne kërkojmë zëvendësim mase – nga detyrim paraqitje ndalim dalje jashtë shtetit, në atë arrest në burg/arrest në shtëpi- tha Kraja.
12:30- Deputetët refuzuan kërkesën e avokatit të Berishës, për të pezulluar mbledhjen duke theksuar se ajo duhet të vijojë. Ata votuan me gjashtë vota kundër kërkesës së procedurës deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, mbledhja do të vazhdojë.
11:20-Këshilli për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin ka nisur mbledhjen për të vendosur për mandatin e ish-kryeministrit Sali berisha.
Kryetarja e kuvendit, Lindita Nikolla, ka lexuar kërkesën e SPAK, që kërkon që Berisha të lihet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kujtojmë që Berisha është lënë aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe i është ndaluar të dalë jashtë vendit.
Të pranishëm në sallë janë deputetët Ermonela Felaj, Bledi Çuçi, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, Klotilda Bushka dhe Arben Pëllumbi, teksa nga opozita është vetëm Enkelejd Alibeaj.
Prokurorët e çështjes së Berishës, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai janë gjithashtu të pranishëm.
11:10-Aleatët e PD nuk i janë bashkuar protestës së sotme që po mbahet para Kryesisë së Kuvendit.
Gazetarja e Vizion Plus Olta Blaceri në një lidhje live për edicionin e lajmeve me Frida Mavriqin bën me dije se Partia e Lirisë që drejtohet nga Ilir Meta dhe Fatmir Mediu i PR nuk janë të pranishëm.
10:30-“Jetën e japim, por votën jo”. Ky ishte paralajmërimi i Sali Berishës pak minuta para nisjes së protestës së thirrur prej tij para Kryesisë së Kuvendit, aty ku Këshilli i Mandateve do vendosë për do vendosë për fatin e ish kryeministrit.
Berisha, për mediat nga selia blu bëri të qartë se këto protesta do të jenë pa kthim, teksa shtoi se tubimet do mbahen në rrugët e qytetit, por edhe në Parlament, aty ku beteja ka nisur prej kohesh.
/a.r