Arrestohet një nga shqiptarët që u përfshinë në përplasjen me 3 tre shtetas grekë mbrëmjen e së shtunës, jashtë një lokali në “Gazi” të Athinës.
Në pranga ka rënë 33 vjeçari Emiliano Jakupi nën akuzën për bashkëpunim në tentativë për vrasje, i cili dyshohet se ka qenë në automjetin “Range Rover”. Jakupi u arrestua mbrëmë në darkë.
Autoritetet greke kanë gjetur në zonën e Voria Proastia edhe mjetin në të cilën udhëtonin shqiptarët. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet që të rinjtë shqiptarë e kishin marrë automjetin me qira. Ndërkohë, autori i ngjarjes është ende në arrati.
Si ndodhi ngjarja? Nga pamjet e kamerat e sigurisë duken dy shqiptarët që zbresin nga automjeti. Ata fillimisht kanë debatuar me tre të rinj nga Kreta. Pas një debati banal, pasagjeri i mjetit ka goditur me grusht një nga grekët. Aty situata u përshkallëzua në një përplasje fizike, me grushte.
Në atë moment drejtuesi i automjetit, shqiptar, nxori armën duke qëlluar mbi grekët. Dy vëllezërit të moshës 29 dhe 34 vjeç, janë në gjendje të rëndë në Klinikën e Neurokirurgjisë, me dëmtime në kokë. Me plagë më të lehta po trajtohet edhe shoku i tyre 29-vjeçar.
/f.s