Deputetët opozitarë do të marrin pagën bazë prej 1488 euro edhe pse kanë vendosur që ta bojkotojnë punën e legjislativit. Opozitarët nuk po duan të dorëzojnë mandatin, duke ia lënë mundësinë vetes që të kthehen pas gjashtë muajve sipas afateve ligjore.
Partia e Ramush Haradinajt, AAK-ja, tashmë ka vendosur për bojkotimin e Kuvendit deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ndërsa, “Vetëvendosja” e “Nisma” ende janë në dilemë nëse do ta bëjnë një gjë të tillë apo jo.
Por, pavarësisht kësaj, ata do të vazhdojnë të marrin pagën prej deputeti edhe në gjashtë muajt e ardhshëm, edhe pse nuk do të shkojnë asnjë ditë pune në Kuvend. Megjithatë, bojkotimi i punës së organit më të lartë ligjvënës ka vënë në siklet opozitën e bashkuar meqë nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët nëse duhet apo jo ta bëjnë një bojkotim të tillë.
Sipas Rregullores, pas gjashtë muaj mospjesëmarrjeje në punën e Kuvendit, atëherë deputeti humb mandatin nëse nuk arrin që ta argumentojë mungesën e tij.