Nga Sherryl Connelly*
“Armët dhe çunat” është historia e jashtëzakonshme e tre “rrugaçëve” njëzetë e ca vjeçarë nga Majami që u shndërruan në trafikantë armësh dhe nënshkruan një mega-kontratë prej 300 milionë dollarësh me Pentagonin, për të furnizuar me armë ushtrinë afgane. Titulloheni po deshët, “seks, drogë dhe municione”.
Gazetari investigativ Guy Lawson e nëntitulloi librin “Si tre drogmenët nga Plazhi i Majamit u bënë trafikantët më të pazakontë të armëve në histori”, çka të jep të kuptosh, por jo plotësisht, se sa e pabesueshme, e megjithatë tërësisht e vërtetë është kjo ngjarje.
Për shembull, në një moment kritik të operacionit, kur gjithçka ishte në rrezik, një prej treshes e përshkroi gjendjen e tij shpirtërore në këtë mënyrë: “Ja tek isha unë, duke u marrë me çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe as që ja kisha haberin fare. Nuk dija asgjë në lidhje me situatën në atë cep të botës. Megjithatë isha një prej aktorëve kryesorë në luftën afgane, dhe në qoftë se porosia jonë nuk do të arrinte në Kabul, e gjithë strategjia e furnizimit të ushtrisë në Afganistan do të dështonte. Kjo çështje po ma prishte qejfin fare”.
Oh, plako! Në kulmin e operacionit, një djalë që kishte braktisur shkollën në klasën e nëntë, një masazhator që gjente punë në internet përmes sajtit “Craigslist” dhe një shpërndarës i vogël hashashi, do të figuronin në mesin e tregtarëve më të mëdhenj të armëve në botë.
Efraim Diveroli ishte 14 vjeç kur u përjashtua nga shkolla në Majami dhe u dërgua në Los Anxheles për të jetuar me të ungjin, një tregtar i vogël armësh. Diveroli ishte një student i Yeshivas (shkollë fetare për hebrenjtë), por ama pjesë e atij grupi nxënësish hebrenj ortodoksë që tymosnin hashash në plazh. Ideja ishte që xhaxhai i tij do ta shkollonte duke i ngulitur rregulla strikte fetare, por nipi i tij shfaqte më shumë interes për biznesin e armëve.
Në moshën 16 vjeçare ai shiste dyqan më dyqan pistoleta Glock dhe Sig Sauer, një punë që e bënte plot pasion. Dhe më pas rastisi të gjente diçka në FedBizOpps, sajti zyrtar i qeverisë për tenderat e armëve. Diveroli mezi priste të futej në aksion. Pas një sherri me xhaxhanë e tij ai u kthye në Majami për të ngritur “AEY”, një kompani të dedikuar nënshkrimit të kontratave të mbrojtjes.
Ai u lidh me një biznesmen mormon për financimin fillestar, dhe me një tregtar të dyshimtë zviceran armësh që kishte kontakte për rezervat e mëdha të armëve nëpër gjithë Ballkanin dhe më pas filloi të merrte pjesë me oferta në tenderat për furnizuar municione në Irak.
Në vitin 2004, ai fitoi rreth 1 milion dollarë me këtë biznes. Në vitin 2005, shifra shkoi mbi 7 milionë dollarë. Atë vit ai futi në lojë mikun e tij të vjetër të shkollës, David Packouz, si zëvendës president i firmës. Vitet që kishin kaluar duke mësuar Talmudin ishin të dobishme për deshifrimin e kontratave të armëve. Masazhatori u shastis kur Diveroli i tha se kishte 1.8 milionë dollarë kesh në bankë. Packouz mendonte se me këtë lloj biznesi do të financonte ëndrrën e tij për t’u bërë një yll roku.
Çdo mëngjes, ata zgjoheshin dhe “bëheshin dru” me drogë para se të paraqiteshin në zyrë. Një thithje e fortë e marihuanës bënte që dita të niste mirë. Kalonin net të tëra duke dëgjuar muzikë dhe duke thithur kokainë. Diveroli, dikur një fëmijë obez e bufalaq, ishte veçanërisht agresiv me femrat, por më vonë, në një udhëtim pune shumë të rëndësishëm në Ukrainë, ai çdo grua të bukur që shihte në rrugë e pyeste “Sa?”
Në vitin 2006, kur Shtetet e Bashkuara morën kontrollin e operacioneve ushtarake në Afganistan, nevoja për municion ishte e madhe. Armatosja e forcave afgane të sigurisë ishte një sfidë për shkak se armatimi i tyre ishte si ai i ish bllokut sovjetik, zakonisht AK-47. Lufta në Irak kishte “ngrënë” rezerva të mëdha armatimi, ndërkohë që “stili afgan” i luftës me shprehje të pafundme karikatorësh, shkaktoi një nevojë për një sasi të jashtëzakonshme municionesh. Rusia dhe Kina kishin rezerva të mëdha armësh dhe do kishin shitur me shumë dëshirë, por politikat e administratës së presidentit Bush e bënë të paligjshme lidhjen e marrëveshjeve me secilin prej këtyre vendeve.
Ndërkohë, Pentagoni nuk mund të dilte ligjërisht si blerëse municionesh në Ballkan, ku marrëveshjet bëheshin pa u merakosur shumë për “zbukurimet ligjore” dhe ku mashtrimi ishte normë. Pra, ishte një shans i jashtëzakonshëm që emocionoi trafikantët e armëve në gjithë botën, kur tenderi i këtyre lloj municioneve u postua në FedBizOpps. Tenderi që kishte për qëllim të armatoste ushtrinë afgane, kërkonte për 100 milionë fishekë kallashnikovi, miliona fishekë për snajper SVD Dragunov, raketa, etj., por ajo që ishte akoma më emocionuese ishte se, kjo kontratë që normalisht duhet të ndahej në disa pjesë, u strukturua që t’i jepej një fituesi të vetëm.
Dhe qershia mbi tortë për “çunat” ishte specifikimi: “Municioni nuk ka nevojë për provën e qualifikimit”. Kjo do të thoshte se ata mund të kontrollonin e zbraznin çdo depo të vjetër municionesh në Evropën Lindore dhe të kapnin çmimet më të ulëta. Në fund të fundit, niveli i cilësisë së kërkesës ishte aq i ulët saqë municionet duheshin vetëm sa për të bërë zhurmë. Diveroli, i zënë me kontratat e tij irakene, i caktoi Packouzit punën e furnizimit me municione, gjë që për masazhatorin e kthyer në shitës armësh kërkonte shumë punë dhe njohje. Me AEY që merrte vetëm 9% komision, në vend të normës prej 10% të këtij sektori, ata dhanë një ofertë për më pak se 300 milionë dollarë.
Dhe kjo ofertë fitoi, lajm që bëri që konkurrentët e tyre të korporatave të dridhen nga inati; dhe të hidhërohen pa masë.
Nga kjo pikë, ngjarja e rrëfyer bukur dhe me ritëm nga Lawson, bëhet tejet serioze. Spaçatori i marihuanës, Alex Podrizki, një tjetër ish nxënës i Yeshivas, u bashkua me “çunat” si përfaqësuesi i tyre në Shqipëri. Por i kishin hyrë një historie që nuk ishte për këllqet e tyre, e mjaft të rrezikshme gjithashtu.
Tanimë çunat ishin shndërruar në një “komponent qëndror të luftës së Presidentit George W. Bush kundër terrorizmit”, siç shkruan Lawson, pasi “Pentagoni u kishte besuar një pjesë të mirë të fatit të një kombi”. Reagimi i tyre? Të merrnin drogë dhe të qëndronin dhogë sa më shumë të ishte e mundur.
Diveroli ishte gjithnjë shumë arrogant. Gjatë rrugës nga aeroporti drejt Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, ai konstatoi se “me njëzet burra të armatosur mund ta shtie në dorë këtë vend”… por më vonë filloi të dridhej në një zyrë, kur djali prapa tryezës u ngrit dhe i tregoi tatuazhet e burgut në krah. Në qoshe qëndronte ulur një djalosh me sy të akullt si të peshkaqenit, i cili nuk fliste. Ishte djali i kryeministrit, një anëtar i “Familjes”, siç njihej rëndom tek shqiptarët.
Marrëveshja për të cilën ndodhej atje, më pas do ta çonte Diverolin në burg. Sasia prej 2 milionë fishekësh që duhet të dërgohej në Kabul nga Tirana, duhej më parë të ripaketohej për të hequr germat kineze të kutive origjinale. Shqiptarët i kishin këto rezerva municionesh për dekada të tëra, por gjurmët kineze do t’u shkaktonin “çunave” telashe me ligjin. Me njëmijë e një praktika korruptive, u bë e mundur që municionet të transferoheshin në Kabul. E njëjta gjë ndodhi dhe me episodin e 5 milion fishekëve që u ngelën në aeroportin e Bishkekut në Kirgistan. Autoritetet vendase u vunë një gjobë prej 300 mijë dollarësh në ditë, ndërsa paralelisht nuk lejonin që avioni të largohej. Bush ngarkoi Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gates, që të merrej me çlirimin e municionit. Djelmoshat sigurisht nuk mund ta bënin këtë.
Megjithatë tregtia e armëve po shkonte vaj, arriti një ritëm të kënaqshëm duke u kthyer në rutinë aq sa çdo gjë funksiononte vetë. Deri kur një konkurrent xheloz detyroi Shërbimin e Brendshëm Ushtarak të Pentagonit, të hapte një hetim. Agjencia, e cila nuk mund të bënte asgjë me mashtrimet gjigante të armëve në Afganistan dhe Irak ku miliarda dollarë zhdukeshin pa nam e nishani, këtë herë iu vu pas çunave, edhe pse ata në fakt mallin e furnizonin realisht, pa mashtruar.
Madje dhe armiku i betuar i Diverolit, një denoncues shqiptar që më pas vdiq në mënyrë të mistershme, përmes hetuesit Michael Mentavlos, u tregua këmbëngulës. Por ushtria nuk e pranoi kërkesën e tij që të ndalej transportimi i produkteve të AEY, duke qenë se nevoja për municion AK-47 ishte e madhe. Por më në fund, hetuesi Mentavlos ja doli të bllokonte linjën e dërgesave, pasi i çoi Pentagonit fotografi me municionet e Diverolit që kishin ende kasa me germa kineze.
Do të duheshin muaj të tërë para se të gjendej një zinxhir i ri furnizimi me municione. Dhe kështu shërbimet afgane të sigurisë luftuan për shumë kohë me pak armatim. Efraim Diveroli u dënua me katër vjet burg në 4 janar të 2011-ës, ndërsa dy djemve e tjerë iu dha arrest shtëpie për disa muaj. Todd Phillips, regjizori i filmit “The Hangover”, po bën një film të bazuar mbi këtë libër, dhe Jonah Hill do të interpretojë Diverolin. Libri “Arms and the Dudes” del në treg më 9 qershor, dhe ja vlen të lexohet.
*New York Daily News