E ardhmja e Carlo Ancelottit mbetet ende mister. Italiani ka hyrë në fundin e marrëveshjes me Real Madrid, duke lindur shumë dyshime rreth asaj që do ndodh me të. Por, nga Spanja vjen një lajm tepër i mirë për tifozët e skuadrës kryeqytetase. Duke iu referuar asaj që shkruan madrilenia ‘Marca’ shumë pranë klubit të Realit, trajneri italian do të takohet me Florentino Perez në ditët në vijim për të diskutuar të ardhmen.
Vendimtare mbetet marrëdhënia e shkëlqyer mes të dyve dhe rezultatet e mira që flasin në favor të klubit spanjoll. Kualifikimi pa shumë probleme në raundin e 1/16-ave të Ligës së Kampionëve dhe kryesimi i kampionatit spanjoll tregojnë se Ancelotti po bën një punë të jashtëzakonshme në ‘Santiago Bernabeu’.
“Nëse klubi është i lumtur unë jam këtu. Besoj se nuk ka asnjë nxitim apo problem për të rinovuar” tha italiani mes të tjerash në konferencën për shtyp. Kjo tregon se Ancelotti është i gatshëm për të biseduar rinovimin me kushtet që pritet të zbulohen.
Carlo Ancelotti u shfaq si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e kombëtares së Brazilit, por zhvillimet e fundit në këtë Federatë duket se kanë prishur gjithçka.
/a.d