Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku tre këmbësorë janë goditur për vdekje nga një shofer i cili ka humbur kontrollin mbi veturë. Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe tre persona. Sipas raportimeve të para, dyshohet se disa persona ishin duke zhvilluar gara me vetura, ndërsa të rinj të tjerë ishin mbledhur për t’i shikuar. Rasti ka ndodhur rreth orës 22:45. Policia përmes njoftimit për media ka bërë të ditur se viktimat janë tre këmbësorë.
“Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore.
/a.d