Nga Edmond Arizaj
Kush mendon se Greqia mund të ndryshojë ndonjëherë qëndrim karshi Shqipërisë, ose është i marrë, ose është naiv. Greqia pavarësisht fjalëve dhe deklaratave që sa do vijnë e do ëmbëlsohen, patjetër, nuk ka për të pranuar kurrë që Shqipëria në një të ardhme të afërt, a të mesme, sepse të largëtën nuk e ka tërësisht në dorë, të jetë e barabartë në tryezë me të.
Beleri është thjesht shkaku i rradhës, për të vënë një veto ndaj Shqipërisë, këtë herë për kapitujt. Nuk po them se ne vetë jemi shembulli për t’u ndjekur, por jam i bindur që edhe nëse një ditë (qoftë e afërt) do e kemi korrupsionin në nivele europiane dhe krimin nën nivele europiane, Greqia nuk ka për të ndryshuar.
Në mos një Beler, do të gjejë si kauzus beli qoftë edhe një gomar keqtrajtuar nga ndonjë fshatar shqiptar, për të cilin do thuhet se është treguesi se shqiptarët nuk e meritojnë BE-në.
Le të mos harrojmë çfarë iu punua dhe si iu lërua “toka” Maqedonisë nga Bullgaria dhe Greqia bashkë, dhe ende sot e kësaj dite nuk është se ka ndonjë dritë jeshile, perveç fjalëve jeshile. Shqipëria, nuk duket se do ketë fat tjetër.
Ndoshta do të ishte më mirë, që herë pas here, në vend të diplomacisë lutëse të përdorej edhe ajo kërcënuese me Greqinë. Jo vetëm korridoreve, por edhe hapur.
Kryeministria italiane u shpreh qartë pas vendimit të Gjykatës sonë Kushtetuese për çështjen e refugjatëve: Nuk ndërhyjmë në vendimet e organeve të drejtësisë së një vendi sovran. Mitsotakis parapëlqen të ndërhyjë, në një mënyrë a një tjetër.
Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe pasardhësit e tij, qofshin me këtë mbiemër, a me Karamanlis, Papandreu, a çfarëdoqoftë. Shqipëria politike minimumi duhet të tregojë se nuk është e aftë vetëm për buzëqeshje dhe e gatshme për t’u bindur.
(Qofsha i gabuar, por sjellja e Greqisë karshi Shqipërisë ka për të qenë përherë si ajo e Serbisë karshi Kosovës, veçse jo me thikë ndër dhëmbë, por me helm në gotën e shampanjës. Derisa Shqipëria dhe Kosova të bëhen një).
Mendon e shkruan DREJTE. Por fatekeqesisht Shqiperine Sotme e kane sunduar dhe vazhdojne te njejtin “drejtim” antishqiptaret krijuar me “inteligjencen digjitale” te rame zhgaravitesit; pa harruar berishe e me te meta “atdhetare alla janullos”