Mëngjesi i së premtes ka rikthyer reshjet e dëborës në zonat juglindore të vendit, kryesisht në qarkun e Korçës. Reshjet e dëborës kanë qenë me intensitet më të lartë në zonat e thella të juglindjes ku në fshatrat Vithkuq dhe Mashkullorë trashësia e dëborës varion nga 7 deri në 15 cm. Pikërisht në këto zona janë shfaqur vështirësi me qarkullimin e mjeteve.
Petku i bardhë i dëborës ka përfshirë edhe fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës, ku për momentin reshjet nuk kanë sjellë problematika me qarkullimin. Gjithashtu për momentin nuk raportohen problematika as me furnizimin me energji elektrike.
Ndërkohë sinoptikanët parashikojnë që gjatë fundjavës në zonat malorë të juglindjes temperaturat do të zbresin deri në -7 grade nën zero. Për këtë arsye apelohet për kujdes të shtuar të drejtuesve të mjeteve, të cilët duhet të kenë pajisjet dimërore. Edhe në veri të vendit, kushtet atmosferike janë përkeqësuar mëngjesin e së premtes. Deri në lartësinë 700 metra ka patur reshje shiu të shoqëruara me erëra të forta.
Ndërsa në lartësinë mbi 700 metra ka patur reshje dëbore, të cilat në fshatrat turistikë të Valbonës dhe Shishtavecit variojnë nga 5 deri në 30 cm trashësi. Gjithashtu si pasojë e erërave ka shkëputje të energjisë elektrike në disa njësi administrative si Zapod, Shishtavevc e Topojan.
Ndërkohë niveli i liqenit të Fierzës vijon të rritet dhe aktualisht është në kuotën e 284.97 metër, ndërsa prurjet janë 250 m3/sek. Edhe në veri të vendit fundjava pritet të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, ndërsa drejtuesve e mjeteve u apelohet të bëjnë kujdes, të vendosin pajisjet dimërorë jo vetëm në rrugët e fshatrave, por edhe në Rrugën e Kombit.
/a.r