Policia greke njofton se ka sekuestruar sot rreth 54 kg marijuhanë në Selanik. Sipas departamentit të antidrogës së Selanikut, dy shtetas shqiptarë, Oltion Ranxha, banues në Selanik dhe Fatmir Alizoti banues në Elbasan, u ndaluan në një parkim kamionësh në Dhiavata, ku pas informacioneve të marra në rrugë operative, u gjet brenda disa bidonëve plastikë sasia e lëndës narkotike kanabis sativa.
Droga u gjet në kamionin me targa shqiptare AB 734JT i markës Scania. Në cilësinë e provës materiale u gjetën 2350 euro, 259 gramë kokainë, 3 peshore elektronike si dhe u sekuestruan një kamion, një autoveturë dhe një motoçikletë që përdoreshin për trafikimin e lëndës narkotike.
Nga verifikimet rezultoi se 58-vjeçari ishte në kërkim policor pasi ishte dënuar në mungesë me 5 vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Policia sqaron se lënda narkotike kishte hyrë nga Shqipëria dhe kishte destinacion zonën e narkotikëve të Selanikut.
Dy të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie ndërsa hetimet do të vazhdohen nga departamenti i antidrogës së Selanikut me qëllim zbardhjen e plotë së skemës së trafikimit të kësaj organizate.