Shefja e Komisionit Europian deklaroi dje nga Brukseli se Unioni pret që të hapë sa më shpejt bisedimet për grup-kapitujt e parë me Shqipërinë. Megjithatë, Greqia ka kërcënuar që të përdorë veton, duke e penguar këtë proces nëse nuk trajtohet çështja Beleri.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel u pyetën rreth kundërshtimeve të Athinës si dhe për thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Michel bëri të ditur se të enjten do të mbahen diskutime mes 27 shteteve anëtare për këto çështje.
Ai vuri në dukje, në të njëjtën kohë, se mund të shprehte mendimin e tij personal. Pra, që ai është pro progresit që duhet bërë në lidhje me zgjerimin dhe se shpreson se “vështirësive të pazgjidhura do të mund t’u gjendet një zgjidhje.
Ai shtoi megjithatë se mesazhi i sotëm është një mesazh optimizmi.
“Tani ekziston një dëshirë më e madhe e përbashkët e vendeve anëtare dhe vendeve kandidate që procesi i zgjerimit të vazhdojë. Kjo nuk do të thotë që të gjitha problemet do të zgjidhen automatikisht, por ekziston dëshira për të zgjidhur vështirësitë.”
Megjithatë, siç raportojnë mediat në vendin fqinj, kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka përsëritur qëndrimin e Greqisë se çështja e marrjes së detyrës së Fredi Belerit dhe e drejta e tij për një gjykim të drejtë nuk është një çështje dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, por një çështje respektimi i rregullit të ligjit, që është, siç vuri ai në dukje, “kurora” e procesit të anëtarësimit.
Ai gjithashtu shihet teksa shkëmben një bisedë me kryeministrin Edi Rama në Bruksel ku po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
/a.r