Zhvillohet sot samiti mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Rama ndodhet tashmë në Bruksel për të marrë pjesë në këtë samit që i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian dhe që do të diskutojë për hapjen e kapitujve të negociimit.
Deri tani, të gjitha vendet përveç Greqisë kanë aprovuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Greqia kërkon lejimin e betimit të Fredi Belerit si kryebashkiak në këmbim të votës pro.
Vetë Kryeministri në Kongresin e PS javën e shkuar tha se nuk do të ketë asnjë shqetësim nga ana e qeverisë shqiptare pavarësisht se cili do të jetë vendimi për këtë çështje.
Gazeta greke “Kathimerini” ka shkruar sot se Greqia i ka dërguar një tjetër mesazh Shqipërisë. Në Kapitullin e Zgjerimit mungojnë referencat për Shqipërinë, ndërsa ajo për Maqedoninë e Veriut është e pranishme.
Greqia e ka paralajmëruar që do të vendosë veton për Shqipërinë për shkak të çështjes Beleri. Megjithatë, sipas Kathimerini, pala greke do të vazhdojë të konsultohet edhe gjatë orëve në vijim për rezultatet përfundimtare për Shqipërinë.
Kundër bllokimit të hapjes së kapitujve për Shqipërinë ka dalë Gjermania, e cila e ka kritikuar qëndrimin e Greqisë. Edhe zëdhënësi i BE, Peter Stano, ka thënë në një intervistë për një televizion të Athinës që të mos krijohen krisje të panevojshme.
Në shkrim, e përditshma greke “Kathimerini” evidenton faktin se Shqipëria ka mbështetjen e Gjermanisë.
“Është e qartë se ky zhvillim krijon një front të ri për Athinën, pasi disa vende të BE-së (por edhe SHBA) e konsiderojnë histori suksesi progresin e Shqipërisë. Dihet mbështetja shumë e rëndësishme e Shqipërisë nga Gjermania, ndërsa Presidenca spanjolle e BE-së premtoi në Tiranë se problemet me Greqinë do të kapërcehen. Kjo mbështetje e shprehur në mënyra të ndryshme për Tiranën, nga aktorë kryesorë perëndimorë, duket se ka pasur ndikim vendimtar në vetëbesimin e Kryeministrit Edi Rama dhe besimin se Athina do të përkulet për shkak të presionit nga Uashingtoni, Berlini dhe Brukseli”, shkruan ndër të tjera “Kathimerini”.
AXHENDA SOT E SAMITIT BE-BALLKANI PERËNDIMOR
Ora 15:30 – Mbërritja e liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor
Ora 17:00 – Nis sesioni i punës
Ora 18:15 – Foto familjare
Ora 18:30 – Darkë pune
Ora 20:45 – Konferenca për shtyp
/a.r
Greqia, partneri strategjik i Rames, kercenon me veto interesin strategjik te Shqiperise, integrimin ne BE! Kush ma deshifron kete raport e ekuacion absurd? Nese ndodhe veto, Rama duhet t’ju kekoje falje shqiptareve, dhe menjehere te behen korrigjimet ne politiken e jashtem. Une nuk besoje ne vertetesine e seriozitetin e BE per integrimin tone, duke e konsideruar procese te rreme e manipulues. Qofsha i gabuar!