Investimet e Huaja Direkte u rritën përsëri në tremujorin e tretë të këtij vitit dhe për herë të parë arritën në vlerën e 1.1 miliardë Eurove gjatë periudhës 9-mujore të 2023, shifër kjo 10.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën Korrik-Gusht-Shtator, fluksi i investimeve të huaja direkte u vlerësua në 404 milionë Euro, me rritje rreth 17% në terma vjetorë, ose rritje me 15.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë nënvizon se flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme përkatësisht në masën 23%, sektorin e hidrokarbureve në masën 15%, ndërsa 14% në sektorin e energjitikës.
Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë bën të ditur se mjetet financiare në formën e investimeve direkte jashtë u zgjeruan me 61 milionë Euro, ose 13 milionë Euro më shumë referuar të njëjtës periudhe të një viti më parë.
Gjatë tremujorit të tretë 2023, mjetet e rezervës u rritën me 160 milionë Euro, ndërsa injektimi me kapital të ri shënoi 214 milionë Euro. Ndërkohë sipas raportit të Bankës së Shqipërisë kategoria fitimi i riinvestuar u zgjerua me 3%, përkatësisht në nivelin 201 milionë Euro.
/f.s