Përveç SkyECC dhe EncroChat, pritet që të zbërthehen edhe dy aplikacione të reja, në të cilat dyshohet se efektivët e policisë kanë pasur komunikime me elementë të krimit. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili njoftoi se EUROPOL është duke hetuar edhe këto dy aplikacione të reja që dyshohet se janë përdorur nga radhët e Policisë së Shtetit.
Balla lajmëroi që do ketë një vizitë në janar në zyrat qendrore të EUROPOL, ndërsa tha se me zbërthimin e këtyre aplikacioneve, të gjithë efektivët do duhet të plotësojnë një tjetër formular vetëdeklarimi nëse i kanë përdorur apo jo këto aplikacione, emrin e të cilëve nuk e bëri me dije.
Një mesazh, ministri i Brendshëm e pati për të gjithë policët, për të cilët tha se nëse i kanë shërbyer krimit të organizuara duhet të largohen dhe të përballen me drejtësinë.
“Do informoj edhe për dy shërbime të tjera që do bashkërendojmë me Europol në javët në vijim. Do jem në një vizitë në Europol për dy aplikacione të tjera për të cilat Europol është duke administruar informacionin e duhur. Formulari do ripërsëritet edhe për dy aplikacione të reja. Kush e ka ndarë mendjen të punojë me ndershmëri do vazhdojë të jetë pjesë e policisë. Kush i ka shërbyer me gradat dhe uniformën e policisë interesave të krimit të organizuar në këtë vend duhet të largohet dhe të përballet me drejtësinë”, tha Balla.
Kujtojmë që rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës kanë nisur plotësimin e formularit të vetëdeklarimit nëse kanë përdorur më herët aplikacionet që po tronditin botën e krimit, “SkyECC” dhe “EncroChat”.
Ata duhet të deklarojnë përdorimin e tyre në të shkuarën, nëse e kanë disponuar, shoqëruar me periudhën dhe arsyen e përdorimit. Në fakt, çfarëdo lloj arsye të shkruajnë policët për përdorimin e aplikacioneve “SkyECC” dhe “EncroChat” do t’iu kushtoj detyrën pasi do të përjashtohen menjëherë nga struktura.
/f.s