Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10,5%, në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rekord historik minimal.
Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7 %. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.
Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5 %, duke pësuar rënie me 0,03 pikë përqind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2 %, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5%. Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%.
Punësimi
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7 %. Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2 %. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1 % në sektorin e shërbimeve.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1 %. Punësimi ulet me 2,5 % në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.
Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 %, ndërsa për gratë është 62,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje. Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 ështe rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2 %.
Papunësia
Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 10,5 %. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1 % dhe për gratë 11,1 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.
Popullsia ekonomikisht jo-aktive
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, 16,4 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 9,7 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 13,4 % në paaftësi të përhershme.
Gjatë tremujorit të tretë 2023, 4,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 69,6 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 2,5 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 22,0 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.
/f.s