Historia e Tedi Papavramit është e ndërthurur me ngjarje të rëndësishme. Largimi nga Shqipëria komuniste në moshën 11-vjeçare, bashkë me të atin, mjeshtrin e violinës, Robert Papavrami, ka shënjuar jetën e tij. Një bursë studimi nga qeveria franceze e çoi atë në Paris për të studiuar pranë “Conservatoire National Superieur de Musique”.
Përmes një lidhjeje Skype, në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Tedi Papavrami ka folur më shumë rreth këtij tranzicioni që ndikoi në jetën dhe formimin e tij kulturor.
Ai shprehet se Parisi gjithmonë i ka lënë një hije zymtësie, madje nuk dilte as me fëmijët që të luante nëpër rrugë. Pavarësisht kësaj, violinisti mësoi shumë nga kultura franceze, por nuk harroi as atë shqiptare.
Rudina Magjistari: Do të kthehemi pas në kohë dhe kujtojmë pak historinë tuaj. Je larguar shumë i vogël nga Shqipëria duhet thënë. Unë ju kujtoj, ju kujtoj shumë e vogël kur ju u shfaqët. Ishte një fenomen i cili duket se drithëroi Shqipërinë, në momentin kur ju filluat të shfaqeshit në skena sepse ishit një lajm i jashtëzakonshëm për televizionin tonë atëherë të vetëm. Një talent i ri, një fenomen tepër i rrallë, pa diskutim në Shqipëri dhe më pas që u pasua me bursën tuaj për në Paris, kur ju u zhvendosët me studime atje, sërish shumë i ri, 11 apo 12 vjeç diçka e tillë.
Rudina Magjistari: Parisi në atë kohë, si është dukur në sytë tuaj? Dhe më pas, gjithë ato vite, gjithë ajo jetë e ndërtuar, gjithë ajo karrierë e ndërtuar ndërkombëtarisht, nëpër botë. Sa ka influencuar ajo origjina shqiptare e juaj, vitet që keni jetuar në Shqipëri, në të gjithë artin që ju keni realizuar gjatë këtyre viteve?
Tedi Papavrami: Po, vitet që kam jetuar në Shqipëri sigurisht janë baza e çdo gjëje sepse aty formohet njeriu psikologjikisht, formohen kujtimet, gjuha. Deri në moshën 11 vjeç unë nuk flisja frëngjisht. Tani sigurisht, kur flas frëngjisht më duket sikur kam lindur në Francë, por në atë kohë nuk ka qenë aspak ashtu. Madje, nuk e mendoja fare se do të flisja frëngjisht ndonjë ditë edhe që do të ikja nga Shqipëria. Ishte jashtë konceptit komplet, sidomos në atë kohë kur kufijtë ishin kaq të mbyllura. As nuk më shkonte në mendje. Kështu që ana shqiptare, me folklorin shqiptar, me muzikën shqiptare, me ngrohtësinë, me traditat, me çdo gjë, mbetën tek unë dhe janë sigurisht gjëja e parë që më formon. Pastaj sigurisht mbërritja në Paris, për të bërë një ndërprerje këtu. Parisi më la një përshtypje shumë të hidhur në fakt, sepse ishte një botë kaq ndryshe në atë kohë.
Tani duket pak a shumë e njëjta gjë, thjesht në Tiranë sheh pak a shumë të njëjtat vetura, të njëjtat ndërtesa, të njëjtat reklama, të njëjtat dyqane, por në atë kohë ishte një botë tjetër. Kështu që… por nuk mund të them që e ndjeva veten mirë. Madje, kjo më la një kujtim të hidhur ndaj Parisit, mbase shkaktoi dhe këtë largim, tani që kam ikur dhe që jetoj në Gjenevë. Sepse gjithmonë më ka lënë një hije zymtësie, domethënë një gjë e ftohtë. Që domethënë e shtypte fëmijën që unë isha në atë kohë. Nuk mund të dilja në rrugë për të luajtur me shokë, ishte një jetë komplet tjetër, shumë e vrazhdët për mua. Por sigurisht, që kjo kishte anët e mira sepse mësova shumë edhe m’u desh të asimiloja me një shpejtësi shumë të madhe një kulturë krejt tjetër dhe ta asimiloja thellësisht. Domethënë, vërtetë ta ndieja veten si një francez edhe është e vërtetë që sot i ndiejë të dyja në trupin dhe në zemrën. Domethënë është diçka shumë e thellë, letërsia e lexuar frëngjisht, qoftë e përkthyer, por domethënë gjithë bagazhi im intelektual i të rriturit u bë frëngjisht, por esenca mbetet shqiptare.