Presidenti Recep Tayyip Erdogan kthehet në Turqi si fitimtar, por duke lënë edhe Greqinë në anën e triumfit.
Ky ishte rezultati i vizitës historike të zhvilluar në Athinë nga lideri i Ankarasë, gjatë së cilës u hap një faqe e re në marrëdhëniet mes vendeve fqinje dhe aleate në NATO.
Duke folur me gazetarët, Erdogan konfirmoi se bashkë me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, firmosën deklaratën e përbashkët për të zhvilluar marrëdhënie miqësore dhe zgjidhur problemet në mënyrë paqësore, pa nevojën e ndërhyrjes së palëve të treta. Adresoi dhe çështjen e nxehtë të provokimeve të shpeshta në Egje, ndërsa nuk ngurroi të bënte një krahasim mes fuqive ushtarake të secilit shtet.
“Mund të them me bindje se si një vend me një popullsi prej 85-86 milionë banorësh dhe një sipërfaqe prej 780 mijë kilometrash katrorë, kemi shpenzime të mbrojtjes që nuk mund të krahasohen me Greqinë. Greqia shpenzon shuma shumë të ndryshme nga ne në këtë fushë… Në lidhje me përplasjet ajrore midis Turqisë dhe Greqisë në Egje, thamë ta mbyllim këtë faqe dhe ta lëmë me kaq. Ne duam të përqendrohemi te miqësia.”
Më tej Erdogan shtoi se Turqia po tenton që të zgjerojë bashkëpunimin me Greqinë edhe në sektorin e energjisë, veçanërisht në fushën e centraleve bërthamore. Për burimet nëntokësore, kërkoi një shpërndarje më të drejtë të tyre në rajon, ndërsa sinjalizoi se po i hap rrugën gazit të Rusisë në rajon.
“Siç e dini, ne kemi vendosur të bëhemi një qendër në rajon për furnizimin me gaz natyror nga Rusia dhe prej andej në Ballkan dhe Europë. Në këtë aspekt kemi një pajtim me presidentin rus Vladimir Putin. Tensionet në Mesdheun Lindor prekin kryesisht Turqinë dhe Greqinë, vendet më të rëndësishme të rajonit.”