Me dëshirë të shtuar për t’u larguar, probleme të shumta të mbartura e alternativa të pakta, gati inekzistente. Me këtë miks ndjesish i gjen edhe ky “8 Dhjetor” të rinjtë shqiptarë, që vijojnë të qëndrojnë para dyerve të ambasadave për të ikur shpesh edhe pa kthim.
“Rrotullohemi ku të duam dhe shkojmë sërish tek të njëjtat arsye. Te punësimi, niveli i jetesës, pagat më të larta. të gjitha këto. Është çështje ekonomike domethënë. Nuk është dëshira që të largohemi nga vendi. Jemi të detyruar.”
Qytetarë te Ambasada Gjermane në Tiranë
Në pritje të publikimit të gjetjeve të Cens-it, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në tetë vitet e fundit, numri i të rinjve deri në 24 vjeç është pakësuar me 206 mijë.
“Është shumë jokoherente dhe shumë shqetësuese. Në ditët e sotme po flitet jashtë zakonisht shumë nga mediat, jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja që të rinjtë çdo ditë e më shumë po lëvizin nga vendi jonë, nga Shqipëria. Është një plagë e thellë.”
Edhe sot protestohet. Po aq paqësisht… madje në heshtje. Thuajse për të njëjtat arsye si 33 vite më parë, por në tjetër formë. Të rinjtë po e shprehin zhgënjimin duke braktisur shtëpitë e tyre.
“Është një formë dorëzimi. Efektet po i ndjejmë. Nuk është perceptim. Po hasim një krizë demografike. Do vuajmë ndoshta një krizë sociale. Kjo për shkak se mungojnë politikat.”
Eldisa Cirogu – Socialoge
Largimi në masë e i vijueshëm i të rinjve ka bërë që mosha mesatare në vend të rritet, duke u rritur me 3.8 vite vetëm në harkun e viteve 2015-2023.
E përkthyer në ekonomi kjo do të thotë më pak krahë pune, rrudhje e të ardhurave e më shumë pensionistë e pagesa nga buxheti i shtetit. Kjo është fotografia e Shqipërisë së 33 viteve demokraci.
/f.s