Vendi u trondit paraditen e kësaj të enjteje nga një vrasje që ndodhi rreth orës 11:00, në qytetin e Fierit. Viktimë e kësaj ngjarjeje mbeti Elton Javori, 41-vjeç. Ai dyshohet se u ekzekutua me një plumb pistolete, sapo zbriti nga makina e tij, për shkaqe dhe në rrethana momentalisht të panjohura.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “16 Prilli”, rreth 100 metra nga shtëpia e tij. Teksa nuk ka ende shumë detaje për këtë vrasje, gazetarja Anila Sefa, në një lidhje direkte në Klan News tha se 41-vjeçari nuk njihej si problematik në zonë e as nuk rezulton me precedentë penalë.
Megjithatë Sefa thotë se 41-vjeçari është nipi i Demir Backës. Ky i fundit, vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, u vra me breshëri plumbash më 23 Tetor të 2021-it pranë një qendre tregtare në Fier.
“Ai është banor i kësaj zone, rreth 100 metër ka banesën. Është një ngjarje që sapo ka ndodhur, është ende e paqartë situata, por e shtëna ka ardhur nga një pistoletë dhe ka vetëm një plumb në qafë, pra dyshohet se është qëlluar nga afër. Viktima nuk njihet si problematik në zonë. E njohin si një njeri të qetë që nuk ka shkaktuar ndonjëherë probleme në zonë, as policia nuk e ka një informacion nëse ka qenë i dënuar më parë apo jo. Do të duhet pak kohë për të zbardhur dinamikën e saj”, tha Sefa mes të tjerash.
Në njoftimin e saj për mediat, policia tha se e ka identifikuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe aktualisht po punon për kapjen e tij.
Viktima Elton Javori mësohet se kishte rreth 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania.
/a.r