Hetimet për shpërthimin e eksplozit te garazhi në pronësi të një 73-vjeçari, pak pas mesnatës të së shtunës në Tiranë, po zhvillohet në disa pista.
Grupi hetimor i policisë e ka vlerësuar si një kërcënim serioz, duke e konsideruar si një paralajmërim të autorëve për pronarin e garazhit, shtetasin Theodhor Ziko.
I pyetur nga oficerët e Policisë, Ziko ka deklaruar se konfliktet e vetme që ka pasur gjatë kohëve të fundit kanë qenë disa mosmarrëveshje me ndërtuesin e pallatit.
Por, sipas tij, pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, nuk beson se është ai personi që i ka vendosur tritolin në garazh.
Burimet thanë se hetimet deri tani janë përqendruar kryesisht në mosmarrëveshje për arsye pronësie mes ndërtuesit, Fatmir Sinani dhe blerësit të garazhit, Theodhor Ziko. Megjithatë, nuk përjashtohen edhe pista të tjera, të cilat mund të dalin gjatë fazës së hetimeve.
Burimet thanë se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pamjet filmike të disa kamerave së tre bizneseve pranë vendngjarjes, të cilat po analizohen nga grupi hetimor, në mënyrë që të verifikohet çdo lëvizje e dyshimtë në zonë, para dhe pas shpërthimit.