Po mbahen këtë të mërkurë (6 dhjetor) homazhet për “Sokratin” shqiptar, Mirush Kabashin. Homazhet për artistin e madh, “Nderin e Kombit” po zhvillohet në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.
Të shumtë kanë qenë artistët shqiptarë të cilët kanë mbajtur homazhe për artistin i cili mbylli sytë përgjithmonë më 5 nëntor, duke i lënë një boshllëk të madh jo vetëm artit teatrot, e artit në përgjithësi, por gjithë shqiptarëve.
“Sokrati” shqiptar i drejtohet sot banesës së fundit.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër. Ai u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1970 dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombëtar.
Nga viti 1985, me periudha te ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Mirush Kabashi është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
/a.r