Një shtetas nga Godoleshi i Elbasanit është arrestuar nga policia për pengmarrje. 44-vjeçari Ali Bardhi ka përfunduar në pranga për shkak se ka mbajtur kundër dëshirës së tyre dy persona.
Ai pretendon se A. Ç., 21 vjeç, dhe E. H., 16 vjeç, ishin futur në ullishten në pronësi të tij dhe i kanë shkaktuar dëme. Nisur nga kjo, Ali Bardhi i mori peng dhe i mbajti për katër orë, deri sa hynë në negociata prindërit e tyre.
Sipas policisë, familjarët i paguan 44-vjeçarit 5 mijë lekë të reja me qëllim që t’i linte të lirë.
Paratë janë paguar për dëmet që të rinjtë i shkaktuan në ullishte të arrestuarit Ali Bardhi.
Ky i fundit akuzohet për vetëgjyqësi dhe heqje të paligjshme të lirisë.