Ministri i Brendshëm Taulant Balla firmosi ditën e djeshme urdhrin që u kërkon punonjësve të policisë që të vetëdeklarohen nëse kanë përdour aplikacionet “sky apo “Encro chat”. Kjo nismë ka hapur debat sa i takon gatishmërisë së efektivëve për t’u vetëdeklaruar nëse kanë përdorur njërin prej aplikacioneve.
I ftuar në studion e emisionit ‘Përballje’ në Report Tv, gazetari Ferdinand Dervishi e konsideroi nismën si një harxhim kohe pasi sipas tij, asnjë prej efektivëve që mund ta ketë përdorur nuk do e tregojë diçka të tillë. Dervishi shtoi se sipas informacioneve të tij, rezulton se këto aplikacione janë përdorur nga policë të rangut të mesëm dhe të lartë për trafikun e lëndëve narkotike dhe për krimet ekonomike si ato të ‘call center’-ave.
“Më rezulton që janë përdorur më së shumti nga policë të rangut të mesëm apo të lartë. Janë përdorur aty ku ka më shumë ku ka elementë kriminalë të përfitimit. Aty ku rritet kanabisi pra, në Krujë e Fushë Krujë. Po ashtu janë përdorur edhe aty ku ka krim ekonomik, si në call center. Rezulton që edhe në rrethe janë përdorur këto lloj aplikacionesh”- tha Dervishi.
I të njëjtit mendim ishte edhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa i cili tha se një nismë e tillë duket më shumë si justifikim “për të larë duart” sesa si një angazhim për evidentimin e efektivëve që kanë përdorur aplikacione të tilla.
“Është si një “lajmë duart” në mungesë të informacionit për punonjësit që e kanë përdorur. Komunikohet me kode dhe jo çdo njeri mund ta shkarkojë këtë aplikacion, duhen telefona të posaçëm”- tha Sofa.
Ndërsa zëvendës ministri i Brendshëm Julian Hodaj tha se do të përjashtohen nga policia ata efektivë të cilët e kanë përdorur aplikacionin “sky” për të kontaktuar me grupe kriminale dhe jo ata që mund ta kenë përdorur në dinamikë pune.
“Mund të ketë punonjës policie që e ka përdorur për dinamika pune. Në këtë rast janë të justifikuar. Por ky është i vetmi rast. Komunikimet janë mjaftueshëm që të konsiderohen shkelje. AMP ka autoritetin për të hetuar vepra penale të punonjësve”- tha Hodaj.
Zëvendës ministria tha se procesi i vetëdeklarimit, do të mbyllet deri në datën 15 janar dhe se bëhet fjalë për 11.966 punonjës policie, plus punonjësit e Gardës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Polciore.
/f.s