Anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, profesor Servet Pëllumbi, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare propozoi ndarje të detyrave të Sekretarit të Përgjithshëm.
“Shoh që në statutin e ri është shtuar përsëri posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Mendoj se Sekretari i Përgjithshëm duhet të jetë personi që duhet të drejtojë partinë kur kryetari është kryeministër. Ai nuk duhet të jetë deputet dhe aspak kryetar i Grupit Parlamentar. Edhe sekretari organizativ nuk duhet të jetë deputet, por duhet të merret në mënyrë ekskluzive vetëm me anën organizative të partisë”, ka thënë profesor Pëllumbi. Sipas tij, Statuti për zgjedhjen e kryetarit të PS-së dhe afatet janë shkelur.
Për profesorin e socialistëve, prioritet ka qenë posti i Kryeministrit, pasi vendi nuk ka qenë në një situatë të lehtë ekonomike.
“Statuti dhe afatet për zgjedhjen e kryetarit të partisë janë shkelur, por midis dy mandateve, atë të kryetarit të partisë dhe kryetarit të zgjedhur për kryeministër, prioritar është ai i kryeministrit, pasi merr përgjegjësi për të drejtuar jo më një parti, por të gjithë vendin dhe në një situatë aspak të lehtë për ekonominë dhe financat e vendit. Propozoj që nëse mandati i kryetarit të partisë, kur partia është në pushtet, mbaron në mes të mandatit qeverisës, zgjedhjet për postin e kryetarit të zhvillohen në fund të mandatit qeverisës”, ka thënë dje Servet Pëllumbi.
Ai ka përshëndetur propozimin në Statutin e ri për të shtuar postin e Sekretarit të Përgjithshëm, duke thënë se ky i fundit duhet të drejtojë partinë kur kryetari i PS është kryeministër i vendit. Panorama.