Edhe një herë tjetër Turqia është goditur nga terrori, me të njëjtën vendngjarjeje: Ankaranë. Bilanci është më tepër se tragjik: më së paku 34 të vdekur e 125 të plagosur.
Shpërthimi i ndodhur mbrëmë në sheshin qendror të qytetit, në Këzëllaj, është i treti në pak muaj në Ankara. 102 persona mbetën të vrarë më 10 tetor të 2015-ës pranë stacionit qendror hekurudhor në kryeqytetin turk. 29 qytetarë të tjerë ndërruan jetën mbrëmjen e 27 shkurtit vetëm një kilometër larg vendit ku ndodhi tragjedia e mbrëmshme.
Një makinë e mbushur me lëndë shpërthyese u hodh në erë në mes dy autobusëve pranë stacioneve të autobusëve të tejmbushur me njerëz. Në vendin e ngjarjes humbën jetën 30 persona, ndërsa katër të tjerë nuk u mbijetuan plagëve në spital. Nga 125 të plagosurit, 19 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Kjo është ajo çka ka njoftuar ministri turk i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinogllu.
Të dhënat paraprake lënë për të kuptuar se sulmin e ka organizuar PKK-ja, organizata terroriste kurde, apo një tjetër organizatë e lidhur me të, siç deklaron një zyrtar turk, emri i të cilit nuk jepet nga burimet e lajmeve. Presidenti Erdogan reagoi përmes një deklarate pas sulmit, ku u zotua se lufta kundër grupeve terroriste do të vazhdojë më me vendosmëri.