Në një kohë kur mazhoranca ka depozituar në Kuvend një projekt ligj për ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore, për Sali Berishën është thjesht një truk i radhës për t’i shpëtuar hetimeve, pasi ka frikë nga e vërteta. Në daljen e tij për mediat, Berisha tha se Rama është i tmerruar nga e vërteta. Sipas tij, kjo është një përpjekje e tij për t’i hequr këtë të drejtë opozitës sepse është i tmerruar deri në palcë.
“Kryetemë e ditës është përpjekja e tij, i tmerruar gjer në palcë, që të ndalojë me ligj hetimin e vërtetë parlamentar, si mjetin e vetëm sot në Shqipëri, me të cilin qytetarët shqiptarë ushtrojnë sovranitetin në kuptimin e kontrollit të pushtetit të qeverisë së tyre.
Edi Rama, pasi ka shndërruar drejtësinë me SKAP-in dhe gjykatat speciale, në një karikaturë të shëmtuar, në një seksion të PS-së, pasi në Shqipëri për shkak të kurtheve ligjore, referendumi nuk mund të realizohet, dhe ka mbetur e vetmja dritare e kontrollit të abuzimit të qeverisë me pushtetit komisioni hetimor parlamentar, pasi e bllokoi për tetë herë me radhë, tani ka dërguar ligjin qesharak, i cili kërkon të ruajë privacinë e tij dhe familjes së tij për të gjitha abuzimet që ata kanë bërë.
Kërkon t’i japë mundësi bllokimi çdo lloj hetimi parlamentar, duke përcaktuar në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull, mënyrën e zgjedhjes së ekspertit, nuk beson as në ekspertët e certifikuar nga gjykatat, por beson vetëm në ekspertët që mund të përzgjedhë me votën e tij, de facto të mos lejojë asnjë lloj eksperti që nuk do falsifikojë dhe mashtrojë përpara se të caktohet, ju e keni vënë re që thotë se eksperti zgjidhet me dy të tretat. Ekspertët merren nga lista e ekspertëve që ka gjykata, ata kanë një certifikim, por Edi Rama kur bie puna te hetimi i krimeve të tij të tmerrshëm, ai do vetëm ekspertët që ia cakton Fatmir Xhafa apo ndonjë tjetër. Ky i fundit është aktivizuar shumë kohët e fundit, por mbetet ai që ka qenë.
Ju e shihni se pas betejave të pandërprera të opozitës për të ushtruar të drejtat kushtetuese të popullit opozitar, të drejtat kushtetuese të parlamentit, Edi Rama dërgon në parlament ligjin ku de facto i përjashton mundësinë opozitës që të hetojë, së pari 140 udhëtimet e tij me çarter në dy vite, me të cilat shpenzimi shkon në rreth 22 milionë euro”, tha Berisha.
/f.s