Qeveria e Irakut thotë se militantët e Shtetit Islamik kanë ndërmarrë sulm kimik afër qytetit verior irakian, Kirkuk, gjatë ditës së djeshme, që është sulmi i dytë i tillë brenda disa ditëve.
Zyrtarët irakianë thonë se nga gazrat helmuese, që janë përdorur kundër fshatit Taza, është vrarë vajza trivjeçare e një pjesëtari të milicisë shiite, i cili po lufton kundër militantëve të ISIS.
Sipas tyre, nga ky sulm janë plagosur afro 600 vetë, që po vuajnë nga djegiet, frymëmarrja e vështirësuar dhe dehidrimi. Qindra persona të tjerë janë larguar.
Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, gjatë një takimi me liderët e fshatit Taza, mbrëmë vonë, tha se sulmet “nuk do të kalojnë të pandëshkuara”.
Zyrtarë kurdë të Irakut thonë se militantët e IS-it e sulmuan fshatin Taza më 8 mars me raketa dhe predha të mbushura me “substanca helmuese”.
Taza është fshat i banuar kryesisht me popullatë shiite, afro 20 kilometra larg Kirkukut, që është një rajon nën kontrollin e kurdëve.