“Kurti e Rama kanë mëkatet e tyre në sjelljet e ndërsjella”. Kështu u shpreh historiani Pëllumb Xhufi në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN, për marrëdhëniet mes dy liderëve. Ai akuzoi kryeministrin Rama për vendimmarrje të nxituara që prekin Kosovën, por pa i mohuar edhe nismat pozitive, sikurse janë mbledhjet e përbashkëta të qeverisë.
“Egocentrizmi është i individëve dhe më duket se i japin shumë peshë vetes dhe në përgjithësi kjo vihet re. Të dy kanë mëkatet e tyre në sjelljet e ndërsjella. Edhe zoti Kurti dhe më shumë zoti Rama që përfaqëson një shtet të konsoliduar, edhe nga mosha e përvoja duhet të ishte më i stërvitur me sportin e politikës, ka bërë vendimmarrje të nxituar që preknin edhe Kosovën. Ka bërë edhe iniciativa të mira për të mbledhur dy qeveritë, dy herë në vit është”.
Sipas tij situata e krijuar mes dy liderëve është komike, pasi nuk mund t’ia nënshtrosh ndjenjave personale çështjen kombëtare.
“Ka arritur në një gjendje të tillë që është edhe komike. Se nuk ndodh jashtë që politikanë të jenë kaq të vetëkënaqur mes tyre, që çështjen kombëtare t’ia nënshtrosh ndjenjave personale. Dhe kjo u ka ulur vlerën që të dyve si figura politike, kjo sjellje në raport me çështjen kombëtare. Edhe sot nuk pamë një gjest paqtues”.
Ndarja në ditën e Flamurit edhe e politikës në vendin tonë, për historianin pëllumb Xhufi zhgënjen shpresat e shqiptarëve.
“Janë gjynahet e politikës , jo të popullit që pret nga politike. Pritej që klasa politike të bashkohej rreth ditës së flamurit. Nuk ka shqiptar që mos ta njohë këtë datë”.
Ndërsa historiani Maringlen Kasmi e vë theksin te ndërgjegjja kombëtare. “Sot duhet të mbizotëronte ndërgjegjja kombëtare”.
Për gazetarin Ben Andoni, protokolli i shtetit duhet të përfshinte edhe opozitën në Vlorë.
“Faj i madh i protokollit të shtetit, duhet të linte vend edhe për opozitën. Është një protokoll që vazhdimisht tregon problematika. Ka një qasje që mungon te historianët”.
Kurse për Auron Taren kjo është tipike shqiptare, Sipas tij surprizë do të ishte po të ishin bashkë të gjitha palët e politikës.
“Është e vështirë që edhe në ditë si sot shqiptarët të jenë bashkë. Kjo është treguar shpesh në dëshmitë historike nuk është surprizë e madhe. Është tipike shqiptare”.
/f.s