Në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha se Shqipëria do të vijojë të luajë rol parësor në paqen e sigurinë mes të gjitha vendeve fqinje të rajonit, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes KFOR, EULEX dhe policisë së Kosovës.
Në sesionin e posaçëm të Ministerialit, me fokus Ballkanin Perëndimor, në prani të Përfaqësuesit të lartë për Politikën e Jashtme të BE, Joseph Borrel, Ministri nënvizoi se Aleanca duhet të reagojë në mënyrë të njëzëshme, duke dërguar një mesazh të qartë për çdo përshkallëzim të mundshëm.
Ministri Hasani vlerësoi pranimin e propozimit të BE nga autoritetet e Kosovës mbi krijimin e Asocacionit të Komunave serbe dhe nxiti palët të angazhohen në dialogun konstruktiv, si e vetmja garanci për një paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Gjatë Ministerialit të NATO-s, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, nënvizoi rëndësinë e një aleance të fortë, si gur themeli i sigurisë sonë të përbashkët dhe një spirancë stabiliteti.
“Theksoj përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Aleancës, ndaj sigurisë së krahut tonë lindor, ndaj luftës së drejtë të popullit ukrainas dhe ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, nënvizoi Ministri.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ministri Hasani zhvilloi edhe takime dypalëshe me homologë të vendeve anëtare si Turqia, Belgjika, Çekia, dhe Danimarka.
Menjëherë pas përfundimit të ministerialit të NATO-s, Ministri Hasani do të udhëtojë për në Shkup për të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të OSBE, në datat 30 nëntor – 1 dhjetor 2023./m.j