Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Albin Kurti u shfaqën ditën e sotme së bashku, gjatë ceremonisë së festimeve për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Dy liderët shqiptarë duket se i kanë lënë mënjanë përplasjet e fundit mes tyre, që krijuan edhe një krisje mes marrëdhënieve të dy vendeve. Sot, Rama dhe Kurti janë shfaqur duke biseduar e duke qeshur miqësisht me njëri-tjetrin, ashtu si dikur.
Edhe në deklaratën e tij nga Vlora, Kurti tha se sot është një ditë kur shqiptarët duhet të jenë të gjithë të bashkuar, pa dallime dhe ndasi politike.
“Nuk është sot dita që të flasim për dallimet politike, për polemikat aktuale, por sot jemi bashkë, shqiptarët e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë. Kemi ditë shumë ditë të tjera përgjatë vitit për tema të tilla”– tha Kurti.
Kujtojmë se marrëdhënia mes dy homologëve u kris teksa Rama propozoi një draft-rezolutë për të zgjidhur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Ky propozim nuk u pranua nga Kurti, teksa më pas, u anulua dhe mbledhja e dy qeverive. Krisja mes tyre u vu re edhe në eventet e tjera ku ata ndodheshin së bashku, pasi injoronin njëri-tjetrin.
/f.s
https://uk.roksati.com/