Juglindja e vendit e veshur plotësisht me petkun e dimrit është një nga destinacionet e shqiptarëve por jo vetëm në fundjavën e gjatë që i paraprin festave të nëntorit.
Në qytetin e Korçës nuk është vështirë të gjesh vizitorë nga Shqipëria e mesme.
“Nga Tirana dhe ishte thjeshtë dëshirë miqsh. U bëmë këtu të gjithë bashkë.”
“Nga Tirana. Për festa për të kaluar një fundjavë. Raport çmim-cilësi, Korça është perfekt.”
Por në Parisin e vogël shqiptar gjen edhe të huaj që kanë mësuar të flasin shqip dhe shijojnë për herë të parë Korçën në dimër.
“Unë sot kam ardhur, para pak orësh edhe në dimër është hera e parë që po vij, sepse ka mardhur një herë tjetër, në një stinë tjetër. Shumë e bukur, pavarësisht se ftohtë është. Sidomos kjo Pazari i Vjetër dhe qendra e Korçës më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë.”
Administratorët e bujtinave flasin për një fluks më të lartë vizitorësh shqiptarë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Mund të them që data 27 dhe 28 është e gjitha e rezervuar. Rezervimet janë kryesisht nga Shqipëria e Mesme, Tirana kryesisht. Rezervimet janë bërë përgjithësisht para dy ose tre javësh.”
Të pasionuarit pas dëborës apo skive i janë drejtuar fshatit turistik të dardhës, ku sasia e dëborës sipas tyre është fiks për ta shijuar.
“Vijmë nga Tirana, nuk është hera e parë që vijmë në Dardhë, por po e shijojmë.”
Ndërsa për italianët magjia e Dardhës i bën që të shprehen shqip.
“Vij nga Milano. Dardha shumë bukur, shumë bukur.”
Mbi 90% e hoteleve në qytetin e Korçës janë të rezervuara për festat kombëtare, ndërsa shtim të vizitorëve kanë edhe qytetet e Pogradecit dhe Kolonjës.
/f.s