Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, viziton Brukselin nga sot deri më 29 nëntor, ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s. Gjithashtu, do të jetë i pranishëm edhe në samitin e Këshillit NATO-Ukrainë.
“Sekretari Blinken do të nënvizojë përkushtimin e aleancës ndaj Ukrainës në luftën kundër agresionit të Rusisë, do të konfirmojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për demokraci dhe stabilitet rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të diskutojë prioritetet për samitin e Uashingtonit në korrik të vitit 2024”, shkruhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.
Blinken më pas do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut ku do të marrë pjesë në takimin e OSBE-së që zhvillohet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor. Ministri i Jashtëm i Shkupit, Bujar Osmani, nuk përjashtoi mundësinë që në këtë event të jetë i pranishëm edhe homologu nga Rusia, Sergej Lavrov. “Ne presim Sekretarin e Shtetit Blinken për darkën joformale. Në cilën pjesë të tri ditëve do të jetë ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergej Lavrov, nuk mund të them tani”, nënvizoi Bujar Osmani, lidhur me mundësinë nëse dy kryediplomatët e superfuqive globale do të takohen në Shkup. Gjithashtu, sqaroi se ende nuk është përcaktuar nëse në Maqedoni të Veriut do të vijë vetë Lavrov apo do të dërgojë një zëvendësministër.
/f.s