Detyrimet e ushtarakëve që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, nuk do të falen. Sipas projektligjit të miratuar në qeveri dy ditë më parë, kjo kategori nuk do të përfitojë nga falja e debive, të ardhur si pasojë e rillogaritjes së pensionit e që për pasojë iu mbahet çdo muaj një pjesë e tij.
Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado sqaron për Gazetën Shqiptare se “bëhet fjalë për një kategori ish-ushtarakësh, që kanë fituar gjyqet para se të hynte në fuqi akti normativ i vitit 2010, çka do të thotë se ata kanë dalë debitorë me vendim gjykate”. “Sigurisht që një ligj nuk mund të dalë mbi gjykatat, ndaj në projektligj është përcaktuar që kjo kategori nuk mund të përfitojë nga falja e debive”, u shpreh kreu i ISSH-së. Ende nuk dihet sa është numri i saktë i personave, që nuk do të përfitojnë falje të debive. Megjithatë, pas miratimit në qeveri, projektligji do të diskutohet në komisionet parlamentare, çka mund të sjellë ndryshime në formulimin e tij. Vetëm pas kalimit në komisione ai do të shkojë për miratim në seancë plenare, duke i hapur rrugën hyrjes në fuqi dhe zbatimit të tij.
Falja
Ndërkaq, sipas këtij projektligji parashikohet falja e debive të 5.425 ushtarakëve, të cilëve çdo muaj iu mbahet një pjesë e pensionit si pasojë e rillogaritjes së tij. Teksa komentoi këtë hap ligjor të ndërmarrë nga qeveria, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, tha se parashikon përfitimin për ushtarakët në rezervë dhe ata në lirim. “Gjatë javëve të fundit kam pasur takime të shpeshta me shoqatat e ish-ushtarakëve, të cilët me të drejtë, kërkojnë nga qeveria shqiptare zgjidhje për një borxh që ata i detyrohen shtetit, jo për faj të tyre, por për shkak të vendimeve të ndryshme të ndërmarra nga qeveritë ndër vite.
Për plot 10 vjet, që nga viti 1999 në vitin 2009, ushtarët në rezervë apo në lirim, janë trajtuar me pagesa kalimtare, pensione të parakohshme apo përfitime të tjera suplementare. Por, në këtë hark kohor 10-vjeçar, ligjet kanë ndryshuar të paktën 4 herë dhe më pas janë kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese të cilat janë shfuqizuar nga kjo gjykatë. Në mbështetje të këtyre kërkesave, sot qeveria shqiptare do të falë 984 milionë lekë borxhe që ish-ushtarakët u detyrohen shtetit shqiptar”, u shpreh Klosi, ndërsa theksoi se falë këtij projektligji, asnjë ish-ushtaraku nuk do i mbahet më asnjë qindarkë nga pensioni i çdo muaji. Ndërkaq, paralelisht me heqjen e barrës financiare, qeveria parashikon të marrë edhe masa të tjera, që kanë të bëjnë me angazhimin e ushtarakëve.
Sipas këshilltarit të kryeministrit për Çështjet e Sigurisë, Sandër Lleshi do të ketë një paketë të plotë, e cila synon në radhë të parë të riaktivizojë konceptin e rezervës të forcave të armatosura me qëllim që të gjithë ushtarakët në rezervë të luajnë një rol në forcat e armatosura. “Përveç angazhimit të kapaciteteve të rezervës parashikohet edhe që ushtarakët që janë në lirim të mund të përfshihen në dobi të vendit sepse është një potencial që mund të angazhohet në të mirë të vendit”, ka deklaruar Lleshi. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plotë projektligjin “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve”, të cilin e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.
Projektligji i miratuar në qeveri
Neni 1
Falen detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensionit të parakohshëm, bazuar në përcaktimet e ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas gjendjes së tyre në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 2
Detyrimet e ushtarakëve, që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, të përcaktuar sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk falen.
Neni 3
Falen detyrimet që do të krijohen si pasojë e rillogaritjes së pensioneve, sipas dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për ata ushtarakë, për të cilët rillogaritja nuk është kryer deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 4
Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për rillogaritjen e përfitimeve. Me përfundimin e këtij afati, detyrimet që rrjedhin nga rillogaritja nuk falen.
Neni 5
Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji. Procedurat e zbatimit të faljes së detyrimeve të papaguara miratohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe zbatohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.