Një hetim nga gazeta angleze “The Guardian”, akuzon Mbretin Charles III se ka përfituar nga vdekja e mijëra njerëzve në dukatin e Lancasterit, në veriperëndim të Anglisë, asetet e të cilit do të përdoreshin fshehurazi për të forcuar një perandori të administruar të pasurive të paluajtshme dhe tregtare nga trashëgimia e tij.
E gjithë kjo rrjedh nga një zakon i lashtë i bazuar në një rregull mesjetar ende në fuqi, të quajtur “bona vacantia”. Sipas këtij rregulli, të ardhurat e sovranit përfshijnë edhe pasuritë e atyre që vdesin në Dukat pa lënë testament, ose pa trashëgimtarë.
Dukati i Lancasterit, një pronë e diskutueshme toke dhe pronash që gjeneron fitime të mëdha për mbretin Charles III, ka mbledhur kështu dhjetëra miliona paund në vitet e fundit nën një sistem të vjetëruar që daton që nga kohërat feudale. Asetet financiare të njohura si “bona vacantia”, në pronësi të njerëzve që kanë vdekur pa trashëgimtarë ose të njohur të afërm, mblidhen nga dukati.
Gjatë 10 viteve të fundit ai ka mbledhur mbi 60 milionë paund në fonde. Prej disa kohësh është kërkuar që të ardhurat e “bona vacantia” të dhurohen për bamirësi, por këto përdoren kryesisht për rinovimin e pasurive të paluajtshme të ndërtesave që i përkasin mbretit, të cilat në disa raste jepen me qira dhe mund të gjenerojnë të ardhura më të mëdha, pas restaurimit. Një konfirmim i cili, sipas “The Guardian”, erdhi nëpërmjet vetëpranimit të disa punonjësve, të cilët pranuan se në Dukat i konsideronin këto para të ngjashme me “slush fond” për t’u përdorur “fshehurazi”.
Buckingham Palace nuk pranoi të komentonte. Një zëdhënës i Dukatit të Lancaster tregoi se, pas vdekjes së nënës së tij, mbreti miratoi vazhdimin e një politike të përdorimit të atyre parave për “restaurimin dhe riparimin e ndërtesave të përshtatshme me qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm”. Charles mori 26 milionë paund nga Dukati.
Deri në mbretërimin e Xhorxhit III, me të ardhurat e Dukatit të Lancasterit dhe pronat e Pasurisë së Kurorës, mbreti duhej të paguante të gjitha shpenzimet e shtetit, përfshirë ato të luftërave. Më pas u vendos, në vitin 1760, që të ardhurat nga zotërimet mbretërore të kalonin në duart e qeverisë, e cila në këmbim do t’i garantonte kurorës një “pagë” vjetore. Me kalimin e viteve, sistemi ka pësuar disa ndryshime, për shembull, Charles pranoi të ulë pjesën e të ardhurave nga pronat mbretërore që merr nga Thesari nga 20 në 15%, gjest që rrezikon të anulohet nga këto akuza të fundit.
/a.r