A po i përçan shqiptarët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti? Ishte kjo tema e emisionit “Ballkan Update” në ABC News, me të ftuar analistin nga Shkupi, Ibrahim Mehmeti dhe Jeton Halimi, nga instituti për Çështjet Lokale dhe Globale.
Mehmeti deklaroi se ideja e krijimit të një dege të partisë së Kurtit në Maqedoninë e Veriut, mund të përçajë opozitën shqiptare në këtë shtet, por edhe shqiptarët në përgjithësi dhe të shndërrohet në problem.
“Ky është një konstatim, përshtypje, e cila vështirë se mund të demontohet. E vërtetojnë faktet në terren. Ajo se çfarë shoh unë, edhe opozita nuk është e lumtur me paralajmërimin për formimin e një dege të partisë së zotit Kurti në Maqedoninë e Veriut. Do jetë konkurrencë edhe e tyre. Adhuruesit e Lëvizjes Vetëvendosje janë edhe votues potencial të partive opozitare, kryesisht. Vetë këto parti që prisnin nga Kurti që ta ndihmojnë, mund të shndërrohet në problem për ta. Është një e panjohur e madhe.
Unë nuk dua të besoj se Albin Kurti ka qëllim të bëjë përçarje, por edhe qëllimet e mira mund të shkaktojnë gjëra të këqija. Mbetet për t’u parë. Partitë shqiptare më duken më nervoze, mund të shkaktojë përçarje. Nuk shoh se ka ndonjë kohezion shumë të fortë. Mund të shkaktojë probleme për ata, por edhe për shqiptarët në përgjithësi. Mund të jetë i rrezikshëm”, theksoi ai.
Ndërsa, Halimi u shpreh se Kurti është përçarës, por edhe mashtrues, tipik klasik.
“Zoti Kurti dihet që është përçarës. Mendohet Kurti që t’i njerëzit t’i blejë, është mashtrues tipik klasik. Në Maqedoninë e Veriut e mori mesazhin e qartë. Me Maqedoninë e Veriut kemi marrëdhënie të mira, por po shfrytëzon përçarjet e brendshme. Partinë Besa e ka pothuajse të vetën, kanë miqësi”, deklaroi ai./m.j