Shqipërinë e vizituan gati 700 mijë pushues të huaj muajin e shkuar, duke konfirmuar vijimin e turizmit edhe jashtë sezonit veror. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në raport me tetorin e një viti më parë, numri i turistëve është zgjeruar me 89.4 për qind.
“Kjo rritje do të vijojë. Ajo po vjen si pasojë e rritjes në përgjithësi të turizmit si tendencë edhe jashtë tre muajve të verës”, tha Flora Xhamani Baba, eksperte e turizmit.
Marrë në harkun e 10 muajve, të dhënat tregojnë se Shqipërinë e kanë vizituar gati 9 milionë të huaj. Në raport me harkun e muajve janar-tetor 2022, numri turistëve është rritur me mbi 2.2 milionë apo 32.3 për qind.
“Nuk mund të mbyllim sytë e të mos pranojmë se Shqipëria po përjeton “bumin” më të madh turistik ndonjëherë, ama duhet të themi që gjithsesi vendoi po përdor vetëm 30 për qind të kapaciteteve të veta”, tha Flora Xhamani Baba, eksperte e turizmit.
Sipas INSTAT pjesa më e madh e të huajve që hynë në vend në harkun e muajve janar-tetor, gati 96 për qind ishin nga vendet europiane, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Lindja e Mesme.
“Shqipëria është tashmë pjesë e destinacioneve të Ballkanit Perëndimor si paketë e integruar, ashtu edhe veçmas gjatë muajve të dimrit”, tha ekspertja.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pret që deri në fund të vitit, numri i turistëve të huaj që vizitojnë vendin të arrijë në 10 milionë.
/f.s