Makina me targa sllovene që vëzhgoi lëvizjet e fundit të Brilant Martinaj dhe dy miqve të tij të cilët u ekzekutuar tek mbikalimi i Fushë Krujën verën e shkuar ishte dërguar për t’u çmontuar për pjesë këmbimi në një servis në Kosovë.
Kjo është përgjigja që autoritetet e drejtësisë sllovene u sollën hetuesve shqiptarë, duke i orientuar këta të fundit të kthejnë sytë nga Kosova në kërkim të gjurmëve dhe provave të atentatit mafioz.
Pas marrjes së përgjigjes së letër-porosisë së parë, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar informacion shtesë nga Sllovenia, ndërsa përmes një letër-porosie të dytë kërkon informacion nga Kosova në lidhje me servisin e makinave ku do të bëhej çmontimi i automjetit në fjalë. Prokurorët duan të dinë se kush është personi që e mori makinën në servis dhe në cilën periudhë. Nëse kjo e dhënë sigurohet, atëherë prokurorët mund të kenë një shteg të ri për të hedhur dritë mbi krimin e rëndë.
Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij Besmir Hoxha e Dikler Vata u qëlluan për vdekje mesditën e 17 korrikut 2022 të mbikalimi i Fushës Krujës.
Hetuesit dyshojnë se Brilant Martinaj u vra për shkak të përplasjes së grupeve kriminale në trafikun e drogës dhe vazhdën e atentateve të vazhdueshme, gjatë të cilave u ekzekutuan njerëz të lidhur ngushtë me Ervis Martinaj, i cilësuar si mbreti i lojërave të fatit.
Pas atentatit mafioz në Fushë Krujë, familja Martinaj denoncoi zhdukjen pa gjurmë të Ervis Martinaj, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, fati i të cilit edhe sot vijon të mbetet mister.
/f.s