Kryeministri Edi Rama kishte zgjedhur që të mos reagonte për aksionin opozitar, mirëpo fakti që mediat ndërkombëtare raportuan flakën në Kuvend, ai tha se nuk kishte se si të mos e komentonte.
Ajo që e shqetëson më shumë, tha Rama në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste, është fakti që opozita entuziazmohet nga kjo gjë sepse e shohin si mbështetje ndaj tyre. Mirëpo, sipas tij nuk është gjë tjetër veç se një sensacion si “një grup njerëzish kanë ngatërruar parlamentin me një shpellë dhe kanë ndezur një zjarr”.
“Entuziasmi dhe eksitimi sesi ajo flaka e ndezur në parlament mori dhenë në mediat e botës, më bën që të mos rri pa e komentuar këtë gjë, sepse e vërteta është që përsëri kanë eksportuar jashtë Shqipërisë një produkt të një shëmtie të jashtëzakonshme dhe ata që e kanë publikuar, e ka publikuar si një kuriozitet zoologjik, jo si revolucion. Të nxjerrësh flakë në një parlament të Europës, është sensacion, nuk diskutohet, është njësoj si papritur një grup njerëzish kanë ngatërruar parlamentin me një shpellë dhe kanë ndezur një zjarr, por efekti mbi Shqipërinë për çdo lloj spektatori të pa interesuar për të hyrë në detaje, patjetër që është ky, “ore ç’është ky vend, ose si ka mundësi parlament zjarr, a ia vlen të ikim vitin tjetër”, të entuziazmohesh për këtë është një shëmti, këtë e kanë bërë gjithmonë. Nuk kanë lënë mundësi pa e bërë që të duket keq në sy të botës, po kjo e fundit një sensacion zoologjik”, tha Rama.
Rama për Berishën: Mendoi se ishte i paprekshëm, por sot po përballet me drejtësinë
Në fjalën e tij nga Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste, Rama tha se nuk është aspak i shqetësuar nga aksioni opozitar, pasi është i bindur se kjo bëhet vetëm për të mbrojtur Sali Berishën, ndonëse nuk e përmendi në asnjë moment me emër. Ai e etiketoi si “njeriu që mendonte se ishte i paprekshëm, por që sot po përballet me drejtësinë”.
“E kemi thënë që nuk do ngremë Komisione hetimore pa adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa u zbatuar dhe nuk ka pasur flakë, kjo flakë nuk koincidon me komisionet hetimore, por me tjetër gjë, që e dinë të gjithë se çfarë është, dhe nuk ka njeri që nuk e di, është për shkak të një individi që shumë kush e shihte si të paprekshëm dhe tani është përpara drejtësisë dhe s’mund të jetë e drejtë kushtetuese që të ngresh një komision hetimor, se përndryshe nuk do kishte komisione të nxjerra anti-kushtetueses nga Gjykata, t’i mund ta ngresh komisionin, por mënyra se si bëhet është e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, baza e ligjit tonë është ligji gjerman dhe ne do i referohemi dhe për disa pika të tjera që s’janë marrë në konsideratë, ta votojmë dhe pastaj të ngremë komision hetimor, por jo Komision hetimor se kemi dëgjuar ne se kryeministri ka shpenzuar 20 mln euro për udhëtime, bëj një kërkesë zyrtare dhe e merr përgjigjen. E kanë bërë kërkesën këta dhe kanë marrë përgjigje por nuk u pëlqen dhe kështu janë të gjitha”, u shpreh Rama./m.j