Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Tiranë, ku foli për ngjarjen e rëndë të 21 janarit dhe vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ku prezentë ishin dhe familjarët e viktimave.
Kreu i qeverisë e quajti ngjarjen e 21 janarit si krim shtetëror. Sakaq ai tha se vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së armës, por nga maja, ndërsa shtoi se ka ardhur koha që drejtësia e re të reagojë.
“Jemi në përfundim të një viti dhe në prag të nisjes së një tjetri. I cili qysh në nisjen e tij sjell në këtë godinë, prindër, fëmijët, familjarët e katër qytetarëve të vrarë nga shteti, qeveria, nga dritaret dhe gardhi i kësaj godine më 21 janar. Është për të ardhur keq ndërkohë që gjykata në strasburg ka nxjerrë një vendim shumë domethënës, shumë të qartë lidhur me një krim shtetëror që prej më shumë se një dekade është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe i pabesisë së institucioneve të drejtësisë.
Reagimi i përgjithshëm i debatit publik dhe i zëdhënësve të opinionit publik, mediave ka qenë i zbehtë. Unë nuk jam këtu për të kritikuar mediat, por për të risjellë në vëmendje peshën jashtëzakonshme të këtij vendimi mbi jetën shoqërore të vendit tonë. E kam thënë që krime shtetërore si ai i 21 janarit, historia tregon se vonohet zbardhja, por nuk ngelen pa zbardhur. Ndërkohë prokuroria e Tiranës është ë me përbuzje me kushtetutën, ligjet dhe me dhimbjen e të drejtën e familjarëve të viktimave për të vërtetën e ka trajtuar si një leckë.
Është koha që drejtësia e re të reagojë. Vendimi i gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur për ne ndër vite. Vendosja e gishtit drejtpërdrejtë te autoritetet ekzekutive të kohës, është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autorë. Vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së armës, i cili ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër gjykata vë gishtin edhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është e qartë se autoritetet ekzekutive kanë penguar në mënyrën më brutale drejtësisë që të reagojë dhe veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.
Unë kam bindje të palëkundur që s’ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por mund të vonohet. Është jashtëzakonisht rëndësishme në moralin e sistemit të drejtësisë, reformës së drejtësisë që mos të vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave, të mos vazhdojë të rrijë pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë e mos këputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërish të bërjes së drejtësisë.
Nëse 21 janari mbetet në ajër, edhe themeli i ri i drejtësisë nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme që ka drejtësia në një vend demokratik. Në një vend ku askush është mbi ligjin.”, u shpreh Rama./m.j