Kryeministri Edi Rama ishte këtë të premte në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste, ku ndër të tjerat foli edhe për ligjin për studentët e mjekësisë. Ai komentoi ndër të tjerat edhe pezullimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të këtij ligji, duke thënë se është një vendim absurd.
Rama tha se për sa kohë studentët e mjekësisë paguajnë shumë qesharake, për studimet e tyre, ndërsa pjesa më e madhe paguhet nga taksapaguesit shqiptar, e kanë për detyrë që për disa vite t’u shërbejnë atyre që kanë paguar për t’i bërë mjekë, e më pas janë të lirë të ikin ku të duan.
“Duhet të fuqizojmë akoma më shumë atë që kemi nisur me mjekësinë. Gjëja që diskutuam sot është se si ka mundësi që studentët e mjekësisë nuk e kuptojnë se sa e thjeshtë dhe se sa e padiskutueshme është që merr falë kontributit të të gjithë taksa-paguesve një arsim që ty të kushton shumë herë më pak se sa i kushton shtetit dhe e vë në diskutim që për disa vite ti do u shërbesh këtyre njerëzve që kanë paguar taksa për ty, do u shërbesh këtyre prindërve dhe gjyshërve e jo të marrësh diplomën dhe të vraposh menjëherë në Gjemani.
Kjo është e paimagjinueshe! Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, pavarësisht se universiteti ynë i mjekësisë nuk është i rankuar zyrtarisht në nivelet e universiteteve gjermane. Praktika ka treguar që është një universitet që nxjerr profesionist të besueshëm, ata e dinë këtë dhe e pranojnë.
Mirëpo ai shoku gjerman i këtij që del nga ne ka paguar një shumë marramendëse për të hyrë në të njëjtin korridor. Pse? Sepse ti ke pasur shtetin tënd shqiptar që të ka dhënë mundësinë që ti bësh këto studime, të hapet dera dhe në Gjermani duke paguar shifra qesharake, të cilat ky shtet është i gatshëm ti paguaj.
Por me kusht që do ua kthesh njerëzve që kanë paguar për ty, duke u shërbyer prindërve të tyre të moshuar në spital, apo të afërmeve të tyre dhe pastaj ik ku të duash. Unë nuk i diskutoj vendimet e gjykatave, por pezullimi që i bëri Gjykata Kushtetuese kërkesës absurde së tyre për ta hedhur poshtë këtë gjë, është absurd. Është absurd dhe po e diskutoj vetëm se është pezullim”,-tha kryeministri Rama./m.j