Florian Sulejmani kreu i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që zëvendëson Ardi Veliun pas dorëheqjen është prezantuar gjatë ditës së sotme.
Prezantimi është bërë nga ministri i Brendshëm Brendshëm Taulant Balla i cili vuri theksi te vetëpastrimi i policisë, duke thënë se duhet çuar në një nivel të ri.
Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në ceremoninë e prezantimit
E vlerësoj maksimalisht punën e deritanishme së bashku me ju, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi 200 raste për rreth 300 subjekte, ndër ta gati 260 oficerë policie, me masa që variojnë nga arrest në burg deri tek pezullimi nga detyra.
Besoj pas 130 ditëve së bashku më keni dhënë të drejtë për çfarë i thashë drejtuesve të Policisë së Shtetit, ditën e parë në detyrë.
Një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sa nga këta 260 punonjës policie keni arrestuar apo proceduar si të përfshirë apo mos-veprim ndaj kultivimit të lëndëve narkotike.
Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë. Në këto 4 muaj e pak së bashku kam vlerësuar rritjen dita ditës së forcës goditëse.
Po ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës me grada të ulëta ndërsa fare pak me grada më të larta. Besoj se jemi të gjithë dakord, bashkë me pritshmëritë e publikut, se ka ardhur momenti ta ngremë në një nivel të ri dhe standard më të lartë procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, dhe të subjekteve të tjera ndaj të cilëve ushtron mbikëqyrje AMP-ja, siç janë Garda e Republikës dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Siç e kam thënë: lufta kundër korrupsionit nuk nis nga jashtë nesh, por së pari brenda nesh.
Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm.
Policia e Shtetit duhet të jetë një organizatë e shëndoshë, e pastër, e besueshme dhe e fortë në goditjen e paligjshmërisë në tërësi, dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.
Nuk dua ta harroni për asnjë moment se roli i AMP është jetik. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.
Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re viktimë e dhunës seksuale, apo ai I kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur.
Kur një vajzë, një grua, një nënë denoncon një rast dhune, dhunë seksuale, dhunë me bazë gjinore, veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm, sipas një protokolli të detajuar mirë. Ju takon ju të verifikoni çdo rast, derisa të mos guxojë më askush brenda policisë të mbajë anën e dhunuesve duke mos regjistruar kallëzimin dhe duke mos marrë menjëherë në mbrojtje viktimën.
Po ashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të marrë rolin e vet sa i takon Paketës së Sigurisë në shkolla, kopshte, çerdhe. Shkoni dhe verifikoni a e ka bërë Policia e Shtetit detyrën e vet.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të fitojë në terren – me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, abuzivizmit, bashkëjetesës me krimin – besimin e publikut dhe partnerëve tanë, kjo edhe falë bashkëveprimit në rritje me agjencitë e tjera ligjzbatuese, në mënyrë të veçante me SHISH dhe SPAK.
Komunikimet në aplikacionet e koduara që implikojnë oficerë të Policisë së Shtetit janë dëshmi e qartë e nevojës për një punë intensive e pa kompromis të AMP-së, për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë brenda radhëve të Policisë së Shtetit,
dhe për t’i dhënë dinjitetin dhe respektin e merituar në shoqëri kësaj organizate, që ka në gjirin e saj qindra e mijëra të rinj e të reja që punojnë me dedikim, pasion e profesionalizëm krah qytetarëve.
Sa i përket fenomenit të aplikacioneve të koduara, kam kërkuar që verifikimi i përdorimit të këtyre aplikacioneve nga punonjësit e policisë të jetë pjesë e formularit të vetë-deklarimit të kryer nga çdo punonjës e që, në rast deklarimi të rremë, do të pas-sjellë përjashtimin përfundimtar të tij nga radhët e policisë.
Vettingu i drejtuesve të Policisë është po ashtu një proces i rëndësishëm që duhet të ecë me ritme të shpejta, në përmbushje të pritshmërive të publikut për institucione me integritet të lartë në shërbim të qytetarëve.
Procesi i vettingut duhet të jetë një tregues i pastrimit të Policisë, proces i cili do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, por mos e harroni asnjëherë është një kusht i madh që AMP duhet të përmbushë për seriozitetin, paanshmërinë në drejtim të kryerjes të këtij procesi kaq të rëndësishëm.
Kush nuk tërhiqet nga procesi i vettingut, nuk ka më vend në asnjë karrige në Policinë e Shtetit.
Duke kaluar te prezantimi i Drejtorit të ri, jam i kënaqur që për herë të parë, e pavarësisht se kjo procedurë nuk ishte e parashikuar në ligj, ne hapëm një procedurë konkurrimi publike për përzgjedhjen e
kandidatit më të mirë.
Falënderoj partnerët tanë – ICITAP dhe EU4LEA – për mbështetjen gjatë gjithë këtij procesi përzgjedhjeje dhe gjithashtu edhe të gjithë kandidatët për besimin që i dhanë procesit. Niveli i kandidatëve që aplikuan ishte i lartë dhe me ata që u përzgjodhën në listën e 5 të parëve do të kem mundësinë dhe kënaqësinë t’i ftoj në takim për të vlerësuar forma bashkëpunimi me Ministrinë dhe AMP-në.
Z. Sulejmani ka një eksperiencë pune të gjatë 18 vjeçare.
Ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si kusht i domosdoshëm për këtë pozicion drejtues dhe ka eksperiencë dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë./m.j