Tirana dhe Kukësi ofruan një ndeshje spektakolare në “Air Albania”. Bardheblutë fituan 3-2 përballë Kukësit, në një takim ku verilindorët luajtën për më shumë se gjysmë ore me një lojtar më pak.
Tirana e nisi mirë takimin, duke kaluar në avantazh me Deliun, i cili realizoi një gol fantastik pas vetëm 15 minutash lojë.
Pjesa e parë u mbyll 1-0 për vendasit, pa shumë emocione të tjera, të cilat ishin rezervuar për pjesën e dytë. Kukësi barazoi me anë të Beshirajt në minutën e 53. Disa minuta më pas, Duka u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe verilindorët mbetën me dhjetë lojtarë.
Kukësi bëri surprizën me Momoh, i cili përmbysi rezultatin në minutën e 80.
Gjithsesi, kryeqytetasit nuk pranuan të dorëzoheshin dhe goli i barazimit erdhi shtatë minuta më vonë, me autor Përgjonin, i cili shënoi pas një goditjeje këndi.
Goli i fitores erdhi nga Kaina Nunes, në minutën e 90.
Me këtë sukses, Tirana prek kuotën e 21 pikëve, në vendin e tretë, ndërsa Kukësi mbetet me 14 pikë në vendin e gjashtë.
/a.r