Autoritetet greke kanë zbardhur një vrasje të ndodhur më 17 Tetor 2023 në Menidi të Greqisë, ku mbeti i vdekur një 38-vjeçar. Ky i fundit ishte goditur me thikë dhe kishte humbur jetën për shkak të gjakderdhjes.
Por sipas hetimeve të policisë greke, rezulton se autor i dyshuar është një 41-vjeçar shqiptar me iniciale O.Ll. nga Lushnja, i cili është identifikuar dhe është shpallur në kërkim.
Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të drogës. Viktima, sipas familjarëve, ka qenë përdorues droge.
Kanë qenë dëshmitarë okularë ata të cilët kanë ndihmuar policinë greke të ndërtojë dinamikën dhe të identifikojë autorin.
Sipas 2 dëshmitarëve okularë, viktima dhe 41-vjeçari shqiptar kanë debatuar ashpër për çështje droge. Më pas, autori e goditi me thikë në kofshë, duke i shkaktuar hemorragji.
Pas vrasjes, autori u arratis në këmbë drejt qendrës së Menidit.
Pas identifikimit të tij nga dëshmitarët, policia greke kishte përgjuar telefonin e autorit. Sipas mediave greke, në një bisedë që 41-vjeçari shqiptar kishte patur me të afërm të tij, ai u kishte treguar se “kishte vrarë dikë” pa ju dhënë më shumë detaje.
Prej andej, raporton shtypi grek, është arratisur ilegalisht në Shqipëri dhe sipas tyre fshihet në zonën e Divjakës.
41-vjeçari shqiptar është person i skeduar edhe më herët nga policia greke dhe është akuzuar për armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, dëshmi të rreme, grabitje. Në periudhën kur vrau 38-vjeçarin, qëndrote ilegalisht në Greqi.
/a.r