Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e pranishme në panalet e Samitit të tretë të Diasporës në Tiranë, u ndal në rolin e diasporës në zhvillimin e bujqësisë shqiptare.
Denaj tha se bujqësia jonë është një bujqësi në të cilën ka pafund shembuj suksesi të individëve të cilët kanë qenë në emigracion apo kanë një lidhje të fortë me familjarë apo miq të cilët janë sot pjesë e diasporës.
“Diaspora shqiptare ka një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke ofruar jo vetëm një burim të rëndësishëm financiar, por edhe një rrjet të pasur njohurish dhe lidhjesh ndërkombëtare. Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit marrin me vete njohuri dhe përvoja të reja, të cilat mund t’i përdorin për të përmirësuar praktikat bujqësore në Shqipëri”, u shpreh Denaj.
Ajo përmendi disa fusha kontributi mes të cilave investimet dhe ndikimi ekonomik, krijimi i bizneseve agroturistike.
“Por ajo që për mua është më e rëndësishme është Ndërtimi i Rrjeteve dhe Partneriteteve që nënkupton jo vetëm zgjerimin e rrjeteve tregtare, por edhe nxitjen e eksportit të produkteve bujqësore shqiptare”, tha Denaj.
“Në Ministrinë e Bujqësisë ne po ndërtojmë një organ konsultues – Këshilli i të Urtëve – ku pjesëtarët e diasporës do të jenë një pjesë e rëndësishme, sepse na prezantojnë pikërisht vizionin e asaj ku duam të shkojmë, por duke ruajtur origjinalitetin shqiptar, pjesë e të cilit janë”, tha Denaj.
“Nuk duam të harrojmë që diaspora shqiptare është edhe konsumator i rëndësishëm. Ne jemi duke ecur me hapa të shpejtë në miratimin e produkteve të cilësisë të cilët janë produkte tradicionale të cilat vijnë nga zona specifike dhe përfaqësojnë ekselencën e prodhimit shqiptar. Vitin e kaluar ne certifikuam tre, ndërsa në 2023 po certifikojmë 4 të tjerë”, vijoi Denaj.
“Për ti bërë këto produkte të njohura ne kemi ndërtuar një plan veprimi që e quajmë diplomacia ekonomike e bujqësisë, që synon promovimin e produkteve bujqësore dhe agroushqimore në tregjet ndërkombëtare”, theksoi ajo.
“Në 15 muaj e fundit ne kemi prezantuar ekselencën shqiptare në në Evropë, etj. Më shumë se 140 prodhues shqiptarë kanë paraqitur produktet e tyre në mbi 10 panaire dhe ekspozime të ndryshme. Shqipëria ka ditur të tregojë produktet e saj në panaire shumë të rëndësishme botërore si Slow food, Fruit Logistika, Biofach për produktet organike e deri tek Wine Fair në Serbi dhe Vin Italy në Verona”, u shpreh Denaj.
Së fundi, tha ajo, “vera jonë u prezantua me shumë dinjitet në panairin e verës në Serbi duke e bërë kështu të njohur gjithashtu dhe të prekshme për operatorët e verës që e sjellin në zonën ku ju banoni”./m.j