Të shumtë janë ata drejtues automjetesh, të cilët ulin shpejtësinë sapo afrohen në zonat që kontrollohen nga policia me radarë, po ashtu edhe ata që i “japin gaz” menjëherë sapo kalojnë policinë. Tashmë teknologjia e re mund të kapë “mat” këta shkelës.
Policia rrugore në Spanjë ka nisur përdorimin e një teknologjie të re, një pajisje e cila i bashkëngjitet radarëve dhe ka aftësinë për të zbuluar nëse një automjet ka ulur shpejtësinë e lëvizjes pak para se të arrijë në një zonë të kontrolluar me radarë. Kjo pajisje “kundër frenimit” ka aftësinë që të kap edhe ata drejtues automjetesh që shtojnë shpejtësinë menjëherë sapo largohen nga një radar.
Këto pajisje janë vendosur në rajonin verilindor të Navarrës pas një skeme pilot të suksesshme në vitin 2020. Tashmë, kësaj teknologjisë së re i është dhënë drita jeshile për përdorim nga Drejtoria e Përgjithshme e Trafikut në Spanjë. Sipas Daily Mail, ekspertët janë shprehur se kjo teknologji mund të përdoret së shpejti gjerësisht në Britaninë e Madhe, por edhe në shtetet e tjera në Europë./m.j