Një gjykatë italiane dënoi mbi 230 të pandehur në përfundim të një prej proceseve gjyqësore më të mëdha kundër mafias, që pati në epiqendër grupin kriminal Ndrangheta, në zemrën e rajonit jugor Kalabrisë. Mbi 330 mafiozë të dyshuar dhe bashkëpunëtorët e tyre, ndër ta edhe zyrtarë të qeverisë, u përballën me një seri akuzash, si trafik i drogës dhe vjedhja në procesin gjyqësor që zgjati më shumë se 3 vite.
Agjencia italiane e lajmeve “Ansa” tha se gjyqtarëve iu deshën 1 orë e 40 minuta vetëm për të lexuar vendimin e tyre. Dënimet më të rënda iu dhanë Saverio Razionales dhe Domenico Bonavotas, dy drejtues të mafias në Kalabria, me nga 30 vite burgim secilit. Në mesin e të dënuarve ishte Giancarlo Pittelli, avokat dhe ish-politikan me partinë Forza Italia, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Ai u dënua me 11 vjet burg për bashkëpunim me mafian dhe dhënie informacioni. Giorgio Naselli, ish-shef i policisë lokale, u dënua me dy vjet e gjashtë muaj.
Vendimi i shkallës së parë i së hënës mund të apelohet si nga mbrojtja ashtu edhe nga prokuroria. Ndrangheta konsiderohet nga prokurorët si grupi mafioz më i fuqishëm i Italisë, që eklipsoi me lehtësi bandën më të famshme Cosa Nostra në Siçili, me ndikimin e saj që shtrihet në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
/a.r